Ramush Haradinaj, megjithatë, do të udhëtojë në Hagë si kryeministër, por në detyrë.
Ditën kur dha dorëheqje të parevokueshme, Haradinaj tha se nuk mund të shkojë për intervistim para Dhomave të Specializuara, por ai në një letër dorëzuar krerëve institucionalë ka konfirmuar se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Ju ftoj që në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, të shpallen zgjedhjet e përgjithshme dhe e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit”, ka shkruar Haradinaj në letrën dorëzuar presidentit të Kosovës.
Njoftimin për dorëheqje, Haradinaj ua ka dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit dhe kryetarëve të partive politike.
Kurse, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka deklaruar se të gjitha afatet kohore për mbajtjen e zgjedhjeve duhet të respektohen, derisa zgjedhjet e reja, sipas tij, mund të mbahen brenda dy muajsh.
Duke folur për reagimet e subjekteve politike për dorëheqjen e tij, ai ka thënë se shumica nga to nuk i kanë kuptuar kontekstet e vendimit të tij.
Pavarësisht vendimit të tij që të dorëhiqet, sepse nuk dëshiron të shkojë në Hagë si kryeministër, Haradinaj ka paralajmëruar se sërish do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.