Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se ishte i gatshëm të heqë dorë nga qeverisja për shkak të deportimit të gjashtë gylenistëve për në Turqi.
Në Rubikon të KTV-së, Haradinaj ka thënë se ky incident e bëri Kosovën të dukej si marionetë e Turqisë.
Haradinaj me këtë rast kishte marrë kritika të mëdha nga presidenti turk, Recep Tayiip Erdogan i cili u tregua i ashpër ndaj kryeministrit kosovar duke shenjëstruar atë në fjalimet e tija më shumë se një herë, çka nuk e bëri me të tjerët.
“Nuk e kam ditë se po shkeli në një minë aq të madhe kur kam vepruar. E pashë se shkuan ata njerëz, m’u kanë dhimtë. Nuk e kisha hallin veç aty, por të vendit tim. U dha një përshtypje që vendi qenka një marionetë e dikujt tjetër. Ai incident na qiti në atë mënyrë. E di që s’jemi por na krijoi një pamje ashtu”, ka thënë ai.
Ndonëse shteti turk u falënderua për rastin e gylenistëve, Haradinaj, ende nuk e di nëse kishte persona në Kosovë që ishin në njohuri për këtë operacion.
Haradinaj thotë se s’ka kohë për dialogun, i lëshon rrugë presidentit
Propozimi që udhëheqësi i dialogut me Serbinë të jetë presidenti, Hashim Thaçi vjen ngaqë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se nuk ka kohë dhe ka shumë punë tjera brenda vendit.
“Më i lirë është presidenti. Ja presidenti, ja kryetari i Kuvendit. Nuk e kam problem, le të jetë edhe Albin Kurti. Unë i propozoj Kurtit që edhe nëse nuk e udhëheqë, le të vjen në tavolinë. Dorën kurrkush nuk ta merr me nënshkru, mundesh veç me dëgju çka po thonë. Nuk ta japin fajësinë pse je në tavolinë. E lus Kurtin, nuk është koha me ik prej proceseve”, tha Haradinaj në Rubikon të KTV-së.
Kryeministri propozoi që të gjithë liderët përfshirë edhe ata të komunitetit serb të bëhen bashkë për dialogun me Serbinë.
Haradinaj për rastin e gylenistëve: Aludohet që Presidenti e ka ditur
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Rubikon të KTV-së ka komentuar rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve nga Kosova për në Turqi.
Ai thotë se aludohet se Presidenti, Hashim Thaçi e ka ditur për rastin e gylenstëve.
“Aludohet më shumë se Presidenti e ka ditur, por flitet me të madhe për këtë, por nga fakti se unë nuk e kam ditur nuk mund të them se ai e ka ditur”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj: 20 milionë euro në vit Kosova ia jep Serbisë për energji
[21:50] - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Rubikon të KTV-së ka thënë se Kosova i paguan Serbisë 20 milionë euro në vit për energji.
“Çmimi i energjisë rritet edhe pa investuar hiç, kur e blen në Serbi, ai ta je me çmim më të lartë. Në vend se me ble diku tjetër, t’i e blen në Kosovë. Prej të cilës kur po e blejmë, po paguan taksa në këtë vend. I siguroj të gjithë, kush do ta shohë gjendjen saktë, Kosovës i mungojnë çdo ditë 500 MW rrymë. 20 milionë euro në vit Kosova i paguan Serbisë për energji”, ka thënë ai.
Haradinaj flet për rrugëtimin 18 vjeçar të AAK-së
Në 18-vjetorin e themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i saj, Ramush Haradinaj në një intervistë për Rubikon të KTV-së foli për fillet dhe kthesën që mori nga uniforma e ushtrisë në lider politik.
“Në fillim u përballëm me transformimin e UÇK-së dhe ishte mjaft sfidues. U ç’nderuam pasi na detyruan t’i dorëzonim armët, t’u bindeshim rregullave prej NATO-s. Kanë qenë procese sfiduese. E kam thënë edhe atëherë se nuk mund të kontribuoja më përmes uniformës dhe jeta kaloi në spektrin civil”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i AAK-së foli për humbjen në zgjedhjet e para lokale, e që sipas tij, ndodhi për shkak të transformimit të tyre.
Sipas tij, LDK-ja e kishte më të lehtë sepse e dinte se si funksionohej në botën demokratike.
“Nuk kishim dije se si ishte pas lufta, ne e kemi mësuar se si është të jesh pas luftës. Ishte një sistem më i aftësuar në kohë të paqes ndërsa e gjithë aftësia jonë ka qenë ushtria. Nuk jam aq i mirë m’u përshtat për shkak të votës po për shkak të bindjes. Kur besoj se është e drejt, e bëj. Në politikë është e kushtueshme, nëse nuk përshtatesh pas votës po pas temave, nuk është krejt njëjtë”, deklaroi kryeministri Haradinaj.