Arbëri

Haradinaj ia lë fajin Kurtit që Serbia dërgoi letër në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Albin Kurti - Ramush Haradinaj - Kuvend

Foto: Driton Paçarada

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka komentuar letrën e dërguar nga Serbia në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Për këtë letër, Haradinaj tha se kjo ka ndodhur “shkak të gabimeve të Kosovës”.

Sipas Haradinajt, fajtor për këtë situatë është edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka bërë gabime, për çka ka shtuar se ndikojnë negativisht në aspektin ndërkombëtar.

“Prej gabimeve të Kurtit, Serbia shkon në një hap më tutje, pra na krijon edhe më shumë minusa t’i quaj kështu, sepse një letër e tillë drejtuar NATO-s nënkupton që me siguri Serbia ka përgatitur një narrativë. Nuk vjen letra e para, ata me siguri gjatë gjithë kohës kanë dërguar raporte, informata gjoja se Kosova vepron kundër komunitetit serb”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se në NATO gjendet një numër i konsiderueshëm i vendeve të cilët nuk e njohin Kosovën si Republikë dhe janë në mbështetje të Serbisë.

Ai këto deklarate i bëri para fillimit të seancës së jashtëzakonshme, që ka në rend të ditës votimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare.