Arbëri

Haradinaj i kundërpërgjigjet Veselit: Kur tentuam shfuqizimin e Speciales nuk e dëgjuam Amerikën

Foto: Koha

Kryeministri Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli për kërkesën e tij që taksa ndaj Serbisë të hiqet për 120 ditë.

Haradinaj në Akademinë Përkujtimore në 22- vjetorin e rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në Junik, ka thënë se po bëhet thirrje të ruhet partneriteti me SHBA-të, por nuk është menduar ky partneritet kur është tentuar shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Ai ka shtuar se tentimi për shfuqizimin e saj ka qenë për shkak se kanë pasur frikë për vete.

Ai ka thënë se tentimi për shfuqizim të Speciales ishte bërë për vete sepse së bashku me Veselin dhe Hashim Thaçin kishin frikë nga kjo Gjykatë, transmeton Kosovapress.

“Nëse ne ja çelim derën për 120 ditë, nuk kemi nevojë ma me e mbyll, se ajo nuk e ka më vleftën e vet. Se ai mall që hyn për ato 120 ditë është këtu për 10 vjet. Është mirë me kanë të sinqertë me miqtë tanë, me Amerikën, me ju tregu që po na dhemb përse po i bëjmë këto”, ka thënë ai.

“Nuk e kemi prej lazdrimit, kur e kemi pas për veti se iu tutshim Gjykatës Speciale u munduam me e rrëzu ligjin, në Parlament. Edhe unë kam dashur me rrezu dhe nuk na e nijke që thojke amerikani: ‘po na e ngulni thikë mbas shpine’. Nuk na e nijke për miqësinë dhe të njëjtit njerëz kemi qenë, Hashimi, Kadria, Ramushi, të njëjtë jemi kanë, pesë pare nuk i jepshim. Ata çdo ditë dilshin na bëjshin presion: ‘o ma mos e prekni ligjin’, na hiç se e kishim për veti. Ne dojshim me rrezu dhe veç nuk i arritëm votat se e kishim rrëzu, nuk jemi mërzitë hiç për miqësinë që sot po dojmë me e rujt”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për përmbylljen e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe sipas tij, po përballen me presionin ndërkombëtar që në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia, Kosova të japë një pjesë të territorit në veri, ose të krijohet një Republikë brenda Kosovës.

Ndërsa kryeministri ka ftuar presidentin Hashim Thaçi e kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, kryetarët e partive opozitare Albin Kurtin e Isa Mustafën që të qëndrojnë njëzëri dhe të kushtëzojnë njohjen nga Serbinë përmes taksës.

“Kërkohet me u përmbyllë marrëveshja Kosovë-Serbi dhe është mirë me u përmbyllë. Ne kemi kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Por, ndërkombëtarët na kanë thënë se cka jepni ju me ju njoftë Serbia, vazhdimisht na e kanë bërë këtë pyetje. Ne i kemi thënë se i kemi 20 mijë të dhunuara, persona të zhdukur. Atëherë kanë lyp që ne me dhënë veriun atje që i kemi disa miniera. Dhe kanë thënë jepne ju do tokë se ju njohin, ose nëse nuk jepni tokë jepni një republikë brenda Kosovës, një Zajednicë. Për këtë arsye e mendojmë si send normal se ju e keni pa Amerika dhe Kina tani janë në një luftë tregtare. Tash Anglia po ndahet nga BE. Unë po i luti kolegët e mi, edhe Kadrinë, edhe Hashimin, Albinin, Isën, nëse na e jep njohjen Serbia po ia kthejmë tregun se ja kemi marrë tregun. Nëse ne duhet me e kthy këtë treg, unë po ta jep tregun ti ama njohjen. Nuk po besoj që po e teprojmë, mua po më vyn njohja shumë ama ta jap tregun”, ka thënë ai.

Kreu i qeverisë ka ripërseritur se nuk do ta heqë taksën pa njohjen. “Unë nuk kam me ia dhënë tregun Serbisë pa e marrë njohjen, le të dinë të gjithë. Kjo nuk është kundër Amerikës, ne e kemi armik Serbinë. Nuk japim Zajednicë, do të japim treg”, tha ai.