Kandidati për kryeministër i koalicionit “Për Kosovën fituese”, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur deklaratës së kryediplomates Donika Gërvalla që e quajti “gjeneral i vetëshpallur”. Haradinaj ka thënë se është duke u fajësuar pse ka qenë pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Kosovës. Po ashtu ka thënë se sulmet nga Qeveria po i bëhen pasi sipas tij, e ka demaskuar atë
Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve e Idealit, u ka premtuar të hënën qytetarëve të Gjilanit përfundim të shpejtë të autostradës.
Veçmas zotimeve, kandidati për kryeministër i koalicionit, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur deklaratës së kryediplomates Donika Gërvalla. Bashkëkryetarja e partisë “Guxo” ka thënë në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Deçan, se Haradinaj është “gjeneral i vetëshpallur”.
“Unë nuk kam faj që pasi ma ka dhënë UÇK-ja ime gradën gjeneral brigade me një yll është për shkak të angazhimit tim, e pastaj NATO ma ka jep yllin e dytë. Edhe oficeri që ma ka jep këtë të dytën ka qenë gjerman ka qenë ceremonia në Parlament të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Kandidati për kryeministër ka thënë se është duke u sulmuar pasi siç ka theksuar, ai ka demaskuar Qeverinë Kurti.
“Nuk pasur edhe faj që ja kam hequr maskat, e kam bërë për Kosovën për Gjilanin. E kemi projektuar rrugën për Dheun e Bardh, e buxhetuar gjysma e saj, këta nuk tregojnë saktë se çfarë ka ndodhur, buxhetin e autostradës e kanë heq. Ne kemi buxhetuar 173 projekte për Gjilan, si kanë ardhur i kanë ndalur e i kanë vonuar. Si të heshti e mos t’iu them mashtrues”, ka thënë Haradinaj.
Duke treguar për takimet që i pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Haradinaj ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të jetë në koordinim me administratën Trump.
“Nga zgjedhja e presidentit Trump bota nuk është e njëjtë, tani është je me mua apo s’je me mua, vlerësimi i qeverisë Kurti është që nuk është në linjë me Amerikën. Ju e dini si shkojnë proceset kur nuk jeni në linjë me Amerikën”, ka thënë ai.
Thirrje gjilanasve që të bashkohen me koalicionin u bëri edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, për siç ka thënë ai, të penalizohet Lëvizja Vetëvendosje për mungesë rezultatesh në rajonin e Anamoravës.
“Leni shpifësit, por bashkohuni me koalicionit, këtu kemi djem e vajza ambicioze e me përvojë, këso karakteresh na duhen në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Limaj. “Anamorava duhet të na jep një përgjigje se nëse nuk punoni do të shkoni si këta që do të shkojnë. Ne na duhet një kryeministër që na kryen punë dhe jo rastësisht ky kandidati jonë ka ardhur prej Amerikës. Kush kryen punë, ata që kanë bërë vepra”, ka deklaruar ai.
Një ndër premtimet kryesore të koalicionit është anëtarësimi në organizatën veriatlantike. E për kritikat lidhur me këtë premtim, u kundërpërgjigj Limaj.
“Tani po na thonë ju do të na dërgoni në NATO. Ne e kemi sjell NATO-n më 98’ e kemi qenë vetëm djem të rinj, jo se tash”, ka thënë Limaj.
Kandidati për deputet nga kjo komunë, Ahmet Isufi, akuzoi pushtetin për prishje të raporteve me shqiptarët në shtetet e rajonit.
“Ecin në autostradën e kombit e shkojnë në Shqipëri me përçarë, por nuk ia arrijnë. Ecin në autostradën Arbën Xhaferri për të shkuar në Shkup që dikush ua ka ndërtuar këtë autostradë e shkojnë me i përçarë shqiptarët në Maqedoni, e shkojnë me dobësua identitetin shqiptarë. Shkojnë në Preshevë e Bujanovc, por shkojnë pa autostradë se nuk e vazhduan autostradën do t’i forconte shqiptarët e Kosovës Lindore”, ka thënë Isufi.
Qytetarëve të Gjilanit të cilët janë përballur në dy muajt e fundit me reduktime të energjisë, Haradinaj u ka premtuar zgjidhje.
“Pa energji nuk bëhet asgjë, nuk ka asnjë vend në botë që nuk prodhon duhet të prodhojmë që ta ulim edhe çmimin. Më së shpejti është me gaz me sjellë gazsjellësin, dhe me atë energji që e prodhojmë ne mund ta kontrollojmë çmimin”, ka thënë ai.
Po ashtu pati edhe një zotim për të rinjtë.
“Të rinjtë që i bëjnë 18 dhe nuk gjejnë vend pune do të marrin pagën minimale. E paga minimale do të jetë mbi 500 euro”, ka thënë Haradinaj.
Përveç tubimit, në kuadër të fushatës zgjedhore, partia e këtij koalicioni, Nisma ka prezantuar aderimin e ri. Kësaj partie i është bashkuar Hysnije Mustafa, asambliste në kuvendin komunal të Ferizajt.
Në një konferencë për media, Mustafa ka treguar edhe arsyen pse i është bashkuar Nismës Socialdemokrate.
“Kam vendos t’i bashkohem Nismës Socialdemokrate meqë isha në prag të pushimit të aktivitetit tim politik, por duke parë vizionin e njerëzve kaq të prirë për punë të mbara, siç është kryetari në këtë parti dhe miqtë e mi, e shumë të tjerë vendosa të punoj bashkë me këtë parti për punë të mira për vendin”, ka thënë ajo.