Arbëri

Haradinaj: Ekziston mundësia që të merren vendime për Kosovën, pa Kosovën

Kandidati për kryeministër i koalicionit rreth AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar të mërkurën për një rrezik që i kanoset Kosovës. Ai, në tubimin elektoral të mbajtur në Shtime, ka thënë se ekziston rreziku që Kosova të përjashtohet edhe më tej nga fondet e tjera ndërkombëtare dhe që faktori ndërkombëtar të marrë vendime për Kosovën, pa Kosovën. E kandidati për deputet i këtij koalicioni, Fatmir Limaj, ka akuzuar qeverisjen katërvjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje se i ka neglizhuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare

Teksa ka numëruar premtimin për siguri energjetike, kandidati për kryeministër i koalicionit “Për Kosovën Fituese”, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar të mërkurën për një rrezik që i kanoset Kosovës.

Në tubimin elektoral të koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe Ideal në Lipjan, Haradinaj ka theksuar se faktori ndërkombëtar mund ta ndëshkojnë Kosovën.

“Ekziston mundësia reale, nëse nuk e kryen punën mirë me këtë votë, do të na përjashtojnë edhe më shumë, se bota ka ndryshuar shumë, sidomos nga zgjedhjet e presidentit Trump në Amerikë. Dinamikat janë krejt të reja, zhvillimet janë krejt të reja, nuk ka kohë për tolerancë për budallaki të kurrkujt”, ka thënë Haradinaj. “Pra, ekziston mundësia me u marrë vendime për Kosovën, pa Kosovën”, ka shtuar ai. 

E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, para qytetarëve në Lipjan ka akuzuar qeverisjen katërvjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje se i ka neglizhuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare (UÇK).

“Ju kanë ofenduar, ju kanë fyer, kanë bërë marrëveshje duke ua ndaluan atë që ju takon financiarisht. Tani vijnë këtu e bëhen kinse flasin për ju. Nuk ka adresë të zemrës e shpirtit që i mbron këto kategori, edhe të familjes së dëshmorëve, edhe të invalidëve, edhe të veteranëve sesa Kosova fituese me numër 137”, ka thënë ai. 

Krahas në Lipjan, koalicioni rreth AAK-së ka mbajtur të mërkurën tubim edhe në Shtime, me ç’rast përfaqësues të tij kanë thënë se kjo komunë është e përfshirë në kuadrin e projekteve kapitale që parashihen me program të realizohen gjatë katër vjetëve të qeverisjes nga ky koalicion.

Haradinaj ka premtuar përmirësimin e infrastrukturës rrugore si dhe jetësimin e autostradës së Dukagjinit. 

Kandidati për kryeministër i koalicionit rreth AAK-së është zotuar njashtu edhe për ndërtimin e unazës së jashtme për Prishtinën, të aksit ndërlidhës të autostradave në Duhël si dhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.

E nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj e ka bërë zotimin se me të si kryeministër do të finalizohen shtatë projekte tashmë të filluara – përfshirë autostradën e Gjilanit dhe atë në Pejë. 

Haradinaj gjithashtu është zotuar që ta përfundojë ndërtimin e rrugës Klinë-Gjakovë, si dhe atë Prishtinë-Mitrovicë. 

Premtim ka dhënë edhe për finalizimin e rrugëve Deçan-Plavë e Prishtinë-Podujevë.

Programi qeverisës i koalicionit të emërtuar “Për Kosovën fituese” është i ngritur mbi katër shtylla: anëtarësimi direkt i Kosovës në Aleancën Veriatlantike të NATO-s; zhvillimi ekonomik; përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE; si dhe ndalja e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.

Programi qeverisës i koalicionit e përfshin edhe dyfishimin e pagave për punëtorët e sektorit publik dhe rritjen e pagës minimale në nivel prej mbi 500 eurosh. Po ashtu, ky koalicion ka premtuar formimin e ministrisë për familje.

Në programin qeverisës të koalicionit përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. 1.500 euro është shuma që ky koalicion është zotuar se do ta ndajë për familjet që presin fëmijën e parë, 2.500 për të dytin dhe 3.500 për fëmijën e tretë.

Koalicioni mes AAK-së, Nismës, Intelektualëve, Konservatorëve dhe Ideal është zotuar edhe për ngritjen e cilësisë në arsim. Në këtë funksion është premtuar rritja e buxhetit për arsim në nivelin e 6 për qind të GDP-së. Është bërë zotimi edhe për përmirësimin e infrastrukturës arsimore si dhe rritja e pagës për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet, për 50 për qind.

Në listën e prioriteteve të programit të koalicionit është edhe rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind dhe 1 miliard euro për bizneset e reja si dhe ato prodhuese-eksportuese, përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit. Në programin e këtij koalicioni parashihet gjithashtu përfshirja e mërgatës në vendimmarrje, si dhe pensione pa shkëputje nga puna për veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.