Skandali me ndërhyrjet politike të kryeministrit dhe pushtetarëve të tjerë në vendimet rreth akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë përveç reagimeve të shumta ka nxitur edhe protesta të shoqërisë civile.
Të enjten, në shenjë kundërshtimi për ndërhyrjet politike në pavarësinë e Këshillit Shtetëror të Cilësisë ka protestuar Organizata për Cilësinë në Arsim (ORCA).
Madje, Gramoz Buqinca nga ORCA ka paralajmëruar kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, se çfarëdo ndërhyrje e mëtutjeshme në punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim, do t’iu kushtojë atyre me padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Përveç kësaj, ORCA paralajmëroi edhe protesta të vazhdueshme në rast se ndërhyrjet nuk ndalen.
“Në rast se kryeministri dhe ministri provojnë të vënë dorë mbi Agjencinë e Kosovës për Akreditim do t’i padisim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, sepse nga ligjet në fuqi është e qartë se ata nuk janë autoritetet që mund të vendosin në çështjet e akreditimit. Ne kemi filluar përgatitjet për protesta, të cilat do të fillojnë me ndërhyrjen e parë të Qeverisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim”, ka deklaruar Buqinca.
Sipas tij, më kredibil është KSHC-ja sesa kryeministri, ngase 76 deputetë e kanë votuar këtë këshillë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)