Arbëri

Haradinaj: Duhet ta heqim mashtruesin se duam anëtarësim në NATO

Në tubimin hapës të fushatës zgjedhore të koalicionit mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve dhe Intelektualëve, në kryeqytet u premtua anëtarësim në NATO e rritje të sigurisë për Kosovën. Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit, Ramush Haradinaj, pati shumë akuza për kryeministrin aktual.

Për liderët e dy partive të koalicionit “për Kosovën fituese”, salla “1 Tetori” në kryeqytet qe e vogël që t’i nxërë simpatizantët e tyre në tubimin hapës të fushatës zgjedhore.

Më shumë se brohoritje për kandidatët e për partitë e koalicionit u dëgjua akronimi “UÇK”.

Nën ritmin e brohoritjeve të këtij akronimit, kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit, Ramush Haradinaj, tha se imazhi i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dëmtuar nga Qeveria Kurti.

Për veteranët e luftës, ai premtoi beneficione e pensione më të larta.

E u zotua për anëtarësim në aleancën veriatlantike NATO, teksa e quajti mashtrues kundërkandidatin e tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

“Duhet ta heqim mashtruesin se duam siguri dhe anëtarësim të plotë në NATO dhe dojmë anëtarësim në planin nacional, dojmë miqësi me Amerikën për atë dojmë me heq mashtruesin. Dojmë po ashtu me rrit mbrojtjen e me i rrit investimet në mbrojtje, dojmë me sigurua përjetësisht Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.

Nga salla, Haradinaj i dërgoi një porosi Kurtit.

“Shko të prokurori edhe për diçka më të shenjtë se unë e ti, për shtetin tonë për Kushtetutën”, u shpreh ai.

E kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe njëherësh kandidat për deputet, Fatmir Limaj, i dha vetes dhe bashkëpunëtorëve të tij merita për çlirimin dhe pavarësinë  e vendit.

“Ju sot të nderuar qytetarë që jeni këtu të pranishëm dhe ata që nuk janë, ju jetoni në veprat të cilët i kanë bërë shumë nga anëtarët e këtij koalicionit që janë sot këtu, ju i shfrytëzoni ato vepra, ju keni kaluar për në ato vepra për të ardhur në Prishtinë”, ka theksuar Limaj.

Limaj tha se me marrjen e pushtetit do të punojnë në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Ne e bëmë autostradën Arbër Xhaferi ne duam ta vazhdojmë autostradën e Gjilanit dhe Vitisë. Në e bëmë rrugën e kombit do ta bëjmë autostradën e Dukagjinit. Ne e bëmë Aeroportin e Prishtinës, por tash përnime do ta bëjmë edhe aeroportin e Gjakovës”, u shpreh tutje Limaj.

Sektorit publik i premtuan dyfishim të pagave, e rritje të pagës minimale në 500 euro. Këto zotime  u tha se do t’i bëjnë realitet që në ditët e para gjatë mandatit qeverisës.