Arbëri

Haradinaj akuzon Zybën: Është sekseri i VV-së për trafikimin e votave

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, se kishte joshur deputetë për të votuar për Vjosa Osmanin për presidente.

Ai ka thënë se Zyba është sekse i partisë për trafikim të votave.

“Zyba ka kontaktuar me deputetë tanë. Njëri nga deputetët tonë ka kërkuar që unë me u taku me të. Përgjigja ka qenë që ‘ju jeni sekser dhe s’takohem me ju, por jam i gatshëm të takohem me kryetarin e partisë. Por ndalni këto praktika të presionit, presion serioz i gjithanshëm, pos joshjes’. Zyba është një sekser klasik i cili e ka marrë përsipër në emër të partisë së vet trafikimin e votave”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media të mërkurën.

Të dielën, Vjosa Osmani u bë presidente me 71 vota nga 82 sa votuan në rundin e tretë të votimit për presidente. Pos deputetëve të VV-së dhe 12 të LDK-së, në kuorum morën pjesë deputetë të minoriteteve, por edhe Albena Reshitaj e AAK-së dhe deputetja Adelina Grainca që nga PDK-ja kaloi në VV në momentet e votimit.

Për deputeten Reshitaj, Haradinaj ka thënë se “edhe ajo ishte pjesë e procesit të trafikimit të votave”, teksa ka shtuar se s’ka ndonjë vendim në parti për të.