Arbëri

Haradinaj akuzon Qeverinë se ka ulur mirëqenien e qytetarëve dhe ka rritur çmimet dhe luksin e saj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për mashtrim me shifra sa i përket buxhetit të shtetit.

Haradinaj ka thënë se është ulur mirëqenia e qytetarëve e ndërkohë janë rritur çmimet dhe luksi i Qeverisë.

“Qeveria ka paraparë që për vitin 2022 t’i shpenzojë rreth 3 miliardë e 159 milionë euro, por i ka shpenzuar vetëm 2 miliardë e 625 milionë. D.m.th. i kanë tepruar hiç më pak se 533 milionë e 862 mijë euro, pjesa më e madhe prej të cilave në investimet kapitale. Me buxhetin e vitit 2022, për investime kapitale ishin paraparë 698 milionë euro e janë realizuar 422 milionë. D.m.th. 280 milionë më pak. Për dy vjet kësaj qeverie i kanë mbetur të pashfrytëzuara 478 milionë, vetëm nga investimet kapitale. Kjo d.m.th. se është investuar më pak, është punuar më pak, është fituar më pak. Gjithçka më pak, vetëm se qytetari është varfëruar më shumë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka vlerësuar se ka pasur propagandë jo të mirë edhe në fushën e punësimit.

“Njëri thoshte se janë punësuar mbi 20 mijë persona e tjetri ia kalonte. Por faktet flasin ndryshe! Me Ligjin për Buxhetin 2022 janë paraparë që në sektorin publik mund të figuronin 87 mijë e 311 të punësuar, kurse për këtë vit kanë qenë 7225 veta më pak, nga sa lejonte buxheti. Kjo do të thotë se kjo qeveri nuk e ka realizuar planin e punësimit as aq sa ia lejonte buxheti i paraparë”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka thënë se kjo qeveri përpos që nuk ka shpenzuar aq sa e ka pasur buxhetin dhe aq sa ka paraparë, ka shënuar dështime edhe në grumbullimin e buxhetit.

“Kështu p.sh., nga të hyrat e parapara buxhetore për vitin 2022, në shumë prej mbi 3 miliardë eurosh, janë realizuar 382 milionë më pak. Është e pakuptueshme se si i ka dalë kjo matematikë qeverisë, sepse krahasuar me vitin paraprak, importet për vitin 2022 janë rritur për afro një miliard, kurse eksportet përreth 165 milionë. Në total i bie që deficiti tregtar ka shënuar rritje për 790 milionë. Kjo i bie që të jenë vjelë taksa më shumë, por buxheti ka mbetur mangët për 382 milionë. Kjo kërkon shpjegim! Në këto matematikat buxhetore financiare të Qeverisë, ka edhe një anomali tjetër. Derisa mallrat që kanë hyrë në Kosovë kanë shënuar rritje për 20%, të hyrat nga doganat janë rritur vetëm për 6.4 %, ose akciza për vetëm 3.2%. Kjo d.m.th. se ose ka rënë kontrolli doganor, ose është rritur kontrabanda në kufi dhe krimi i organizuar”, është shprehur ai.

Sipas tij, rritjet që janë shënuar në këtë qeveri kanë të bëjnë me shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve dhe ka akuzuar Qeverinë se ka pasur rritje në luks.

“Janë rritur shpenzimet në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, prej 280 milionë sa ka qenë në vitin 2021 në 333 milionë në vitin 2022; Shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit prej 3 milionë e 182 mijë eurosh sa ka qenë në vitin 2020, janë rritur në 8 milionë e 185 mijë në vitin 2022; Janë rritur edhe udhëtimet brenda vendit, nga 1 milionë e 73 mijë euro për vitin 2020 në 2.199 mijë; Karburantet për vetura zyrtare nga 6 milionë e 613 mijë në 2020 janë rritur në 11 milionë e 342 mijë euro në 2022. Edhe drekat zyrtare po ashtu. Që të mos dalë se kjo qeveri ka pasur vetëm rënie. Ka pasur edhe rritje, në luksin e qeverisë, për të cilin na ka pasur folur aq shumë Albin Kurti”, ka theksuar Haradinaj.