Arbëri

Hapja e Urës së Ibrit çështje diskutimi mes Osmanit dhe Goffusit

Osmani - Goffus

Foto: Driton Paçarada

Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë, i ka thënë presidentja Vjosa Osmani ndihmëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus. 

Në takim me Goffusin, Osmani ka ritheksuar objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

Ndër të tjera u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, ka njoftuar Presidenca. ​Ka theksuar se hapja e urës është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie.

Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës.


Goffus shkon te Kurti

Ndihmëssekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus, ka shkuar në Qeveri për takimin me kryeministrin Albin Kurti. 

Kurti pati thënë se do të diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë në këtë takim. 


Ndihmëssekretari i NATO-s në takim me Osmanin

Ndihmëssekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus, po qëndron në Kosovë të enjten.

Ai ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa më vonë pritet ta takojë edhe kryeministrin.

Ndër temat e diskutimit do të jetë edhe çështja e hapjes së Urës së Ibrit.

Të enjten, takime me akterë politikë po zhvillon edhe emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.