Arbëri

Hapja e shkollave nuk është paraparë në tri fazat e para

Hapja e institucioneve parashkollore dhe atyre shkollore të mbyllura më 11 mars për shkak të pandemisë Covid-19, mbetet në pikëpyetje.

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë i ka paraparë disa masa lehtësuese, që do të realizohen në 3 faza, rikthimi në çerdhe e shkolla nuk është përcaktuar ende.

Zyra për media e Ministrisë së Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim ka bërë të ditur se hapja e institucioneve parashkollore do të bëhet paralelisht me shkollat, por që ende nuk ka një vendim specifik, raporton KOHA.

Sipas kësaj ministrie, paraprakisht në fushën e arsimit gjatë fazës së tretë, që nis më 1 qershor, do të lejohet mbajtja e provimeve në arsimin e lartë, testi i maturës dhe ai i arritshmërisë.

“Gjatë rivlerësimit të fazave të hapjes do të merret vendimi edhe për shkollat dhe institucionet parashkollore. Deri atëherë, prindërit do t'i referohen vendimit të Qeverisë, me të cilin njëri nga prindërit është i liruar nga puna, përveç në sektorët e rëndësisë esenciale, për t'u kujdesur për fëmijët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë”.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë se ata vetëm i zbatojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik dhe gjithçka do të varet nga ta.

Për rikthimin në institucione arsimore, sipas saj, rol të madh kanë edhe qytetarët nëse i respektojnë rekomandimet e institucioneve përkatëse.

MASHTI tashmë e ka publikuar një udhëzues për vlerësimin e nxënësve, në të cilin janë dhënë detaje për mësimdhënësit se si ta realizojnë këtë proces në distancë.

Në bazë të kalendarit shkollor të Ministrisë, klasat e 12-a vitin shkollor e përfundojnë më 20 maj, klasat 9, 10 dhe 11 e përfundojnë më 11 qershor derisa parafillorët dhe klasat 1 deri në të 8-n më 26 qershor.