Të mërkurën e javës që shkoi zyrtarë të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” ndërmorën një aksion për shkyçjen e disa konsumatorëve me borxhe ndaj ndërmarrjes. Ngjarja u përcoll edhe nga mediat dhe policia. Mirëpo ndaj këtij aksioni hetim ka nisur Agjencia për Informim dhe Privatësi nën dyshimet për shkelje të disa neneve të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Aksioni i javës që shkoi i kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” për shkyçjen e disa konsumatorëve që nuk i kanë paguar faturat e ujit po hetohet e inspektohet nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Zyrtarët e saj kanë konfirmuar për KOHËN se hetimet kanë nisur nën dyshimet për shkelje të neneve 68, 70 dhe 71 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në fakt, gjatë aksionit për shkyçje, zyrtarët e Ujësjellësit janë përcjell edhe me kamera dhe kjo është kundërshtuar nga konsumatorët dhe është parë si denigrim i figurës së tyre në publik. Bashkë në aksion, pati edhe policë.
“Sa pi cigare paguaje ujin”, dëgjohet t’i thotë një konsumatori një zyrtare e kompanisë “Prishtina”.
Gjatë aksionit të së mërkurës që shkoi nga KRU “Prishtina” janë shqiptuar 6 vërejtje dhe u bë një shkyçje e një konsumatori nga rrjeti.
“Pse i keni sjellë kamerat, nuk ka pasur nevojë për 10 kamera”, dëgjohet të ankohet një konsumator.
Juristi Anton Nrecaj aksionin e ka konsideruar linçim publik dhe, sipas tij, këto veprime hapin rrugën për padi ndaj Kompanisë së Ujësjellësit.
“Në këto situata qytetarët e kanë të drejtën e plotë që t’i shfrytëzojnë mjetet ligjore dhe të nisin procedurë kundër kompanisë, pavarësisht borxheve dhe detyrimeve që i kanë. Mirëpo, linçimi publik nënkupton që po cenohet personaliteti, integriteti si qytetarë”, ka thënë Nrecaj.
Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” kanë thënë se këto aksione për shkyçje bëhen për t’i vetëdijesuar qytetarët që t’i kryejnë detyrimet.
Për akuzat për linçim të konsumatorëve, nga KRU “Prishtina” nuk kanë komentuar.
“Qëllimet tona janë vetëm vetëdijesimi i konsumatorëve për shlyerjen e obligimeve ndaj kompanisë. Ne si kompani sipas rregulloreve kemi të drejtë në qasje të pronës (ujëmatësit) për verifikim, shkyçje apo testim”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.
Ndërmarrja e ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se borxhi për ujë është mbi 45 milionë euro, prej tyre 40 milionë nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha.
Aksione të tilla, KRU “Prishtina” ka ndërmarrë edhe më herët, dhe njësoj edhe në ato raste mediat ishin ftuar për të përcjellë ngjarjen.