Në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” edhe në Pejë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), Objekti i Urgjencës – qendra e Vaksinimit. Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Pejës, QKMF-së dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë
Petrit Loci, drejtor i departamentit të shëndetësisë në Komunën e Pejës, theksoi se “jemi shumë të gëzuar që komunës sonë po i shtohet ky shërbim i nevojshëm për nënat dhe fëmijët”.
Duke falënderuar donatorët dhe organizatorët, Dukagjin Sahatciu u zotua se kjo qendër do të shfrytëzohet për edukimin e nënave dhe partnereve të tyre për periudhën e para lindjes, shtatzënisë, dhe kujdesin ndaj fëmijës.
Në ceremoninë e hapjes prezent ishte edhe Gazmend Muhaxheri, kryetari i Komunës së Pejës, i cili edhe bëri prerjen zyrtare të shiritit.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beha, deklaroi se themelimi i Qendrës në Pejë shënon pikën e 8-të, apo komunën e 7-të që inkuadron programin edukativ të qendrave si pjesë të shërbimit ditor për shëndetin e nënës dhe fëmijës në nivelin primar.
Qendra “Klasat për Nëna” në Pejë do të ofrojnë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe atyre psikike për gratë si dhe partnerët e tyre, këshillime rreth rritjes së fëmijës përmes disiplinës pozitive etj., aktivitete këto të zhvilluara në një ambient interaktiv modern e me shumë ngjyra.
Qendra Informuese në Pejë është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Komunës së Pejës, si dhe partneret e tyre. Orari i sesioneve do të jetë i publikuar në QKMF në Pejë, në uebfaqen e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë si dhe grupin në rrjetet sociale të Qendrës. Këtë vit u hapen edhe Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në Kaçanik e Prizren, dhe vitet më pare edhe në Prishtinë, Ferizaj, Shtërpcë, e Mitrovicë.
Hapja e qendrës sot u mundësua nga Raiffeisen Bank në Kosovë, njëherësh edhe partner i vazhdueshëm i fondacionit në fjalë. Ky program mbështetet edhe nga Solidar Suisse, në kuadër të projektit “Kosana” në Kosovë.