Në një aneks të kino-teatrit “Jusuf Gërvalla” në Pejë, të hënën është hapur Qendra Frankofone nga ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka njoftuar kjo komunë.
Kjo qendër është hapur dhe në bashkëpunim me organizatën “Anibar”.
“Faleminderit shumë për mbështetjen që jeni duke i dhënë gjuhës frënge, sepse ka klasa në komunën e Pejës, të cilat mësojnë gjuhën frënge. Pra sot do të bëjmë hapjen e qendrës, e cila do të jetë pikëtakimi i frankofonëve në komunën e Pejës. Gjithashtu ne e përzgjedhim Pejën, si një pikë për takimin e të rinjve, të cilët e mësojnë gjuhën frënge, po ashtu me Pejën na lidh edhe festivali ‘Anibar’, faleminderit shumë, që na e keni dhënë mundësinë, që në këtë qytet të bukur të zhvillojmë projekte të rëndësishme së bashku”, ka thënë ambasadorja franceze, Butel, duke ju drejtuar kreut të komunës, pas hapjes së kësaj qendre frankofone në Pejë.
Para se të hapej kjo qendër, në një takim pa praninë e mediave, në zyrën e kryetarit mes ambasadores franceze dhe kreut të kësaj komune, sipas njoftimit të komunës, u bisedua rreth përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Pejës dhe Ambasadës së Francës në Kosovë.
E gjithë kjo vizitë dhe hapja e qendrës frankofone është zhvilluar pa praninë e mediave, të cilat nuk kanë qenë të ftuara për ta përcjellë këtë ngjarje.