Mungesa e hapësirave dhe numri i madh i studentëve ka bërë që disa fakultete të Universitetit të Prishtinës ta nisin semestrin e dytë online.
Javë më parë, Qeveria vendosi që mësimi në arsimin e lartë të realizohet me prezencë fizike derisa Senati ua la fakulteteve që të vendosin vetë se si do ta realizojnë këtë proces.
Fakulteti i Edukimit që ka mbi 3 mijë studentë aktivë ka vendosur që ligjëratat të mbahen online.
Dekani Blerim Saqipi vendimin për rikthimin e studentëve e konsideron të ngutshëm, teksa thotë se më me rëndësi është shëndeti i studentëve dhe stafit akademik e administrativ.
“Në planifikim e sipër do të shohim se si po sillen edhe rrethanat me pandeminë dhe do të mundohemi që sadopak të lejojmë që disa lëndë që janë më praktike dhe ato laboratorike të mund të kenë një kontakt të kufizuar edhe me studentët në fakultet, ndërsa në masë të madhe mësimi besoj se do të vazhdojë edhe këtë semestër në formën online”, ka thënë Saqipi.
E në Fakultetin Juridik, që ka rreth 5 mijë studentë, mësimi po mbahet i kombinuar.
Niveli bachelor po i mban ligjëratat online, kurse nivelet e tjera në formë fizike.
“Si Fakultet Juridik kemi vendosur që për bachelor të vazhdojmë online për shkak që nuk kemi kushte dhe mundësi e kapacitete që të ofrojmë mësim online, përkundër që për cilësinë është e pakrahasueshme që mësimi fizikisht nuk mund të zëvendësohet me formën online, ndërsa për nivelin master dhe studimet e doktoratës që fillojnë më 15 mars të kalojmë në formën fizike, pra në salla”, është shprehur Avni Puka, dekan në Fakultetin Juridik.
Rektorati nuk ka treguar se cilat fakultete po mbajnë mësim online e cilat me prezencë fizike, por vetëm ka bërë të ditur se në periudhën 16-28 shkurt janë raportuar të realizuara gjithsej 7.119 orë mësimore në platformën online Google Meet.
KOHA ka mësuar se në Fakultetin Ekonomik mësimi po mbahet online, Fakulteti i Filologjisë po mban mësim të kombinuar derisa në Fakultetin Filozofik niveli bachelor e master po i mbajnë ligjëratat online, kurse ai i doktoratës në formë fizike.