Arbëri

Hapësira e Tulltores i jepet në shfrytëzim privatit, harrohet projekti

Tulltorja

Në fillim majin e këtij vitit kryetari Përparim Rama, në hapësirat e tulltores së qytetit, kishte prezantuar projektin se si do të dukej tulltorja.

Për këtë projekt Rama kishte hapur konkurs ndërkombëtar, të cilin e kishte fituar artistja Marisa Jahn. Dhe komunës kjo i kishte kushtuar 1 milion e 200 mijë euro. 

Ideja ishte për transformimin e ish-fabrikës së tullave në Prishtinë në një pikë kulturore si dhe qendër për kreativitet dhe inovacion. 

Mirëpo tetë muaj pas, jo vetëm që nuk kanë filluar punimet për realizimin e projektit, por Komuna ka vendosur që këtë hapësirë t’ia japë në shfrytëzim një operatori privat, i cili ka vendosur lojëra për fëmijë.

KOHA ka siguruar të martën vendimin që mban datën 6 nëntor, për vazhdimin e lejes për shfrytëzim të hapësirës publike për vendosjen e lodrave për fëmijë në hapësirat, me dimension 830 metra katrorë deri më 15 maj 2025. 

Drejtori i shërbimeve publike, Bekim Brestovci, në një përgjigje të shkurtër për emisionin “038” në KTV javën e shkuar, ka thënë se ishte kërkesë e operatorëve ekonomikë kjo gjë dhe meqë nuk kishin hapësira të tjera të lira në qytet, vendosën që t’ia jepnin hapësirat e tulltores.

“Ne kemi pasur kërkesa të shumta, për hapësira publike për fëmijë dhe kemi vendosur që t’ia japim. Kërkesë e operatorëve ekonomikë, që të ketë diku në qytet një hapësirë të këndeve për fëmijë dhe ne kemi vlerësuar që të ia japim atë hapësirë në shfrytëzim, pasi ishte e vetmja hapësirë e lirë në kryeqytet. Kemi bërë kontratë më herët me operatorin ekonomik, i cili tashmë po e shfrytëzon hapësirën. Kontrata është e përkohshme dhe është valide edhe për një muaj, e ne nuk e kemi në plan që t’ia vazhdojmë kontratën”, ka thënë Brestovci.

Në anën tjetër drejtori i ri i Transformimit, Gëzim Kastrati, pa treguar shkaqet se pse nuk kanë nisur ende punimet, ka thënë se projekti i tulltores do të përfundojë në pranverën e vitit 2025.

“Pas suksesit të madh që e ka pasur festivali i ‘Manifestës’, ato hapësira janë shfrytëzuar për këtë gjë. Pas kësaj komuna, DSHP e ka dhënë një leje operimi për një operator përkohësisht, sezonal dhe këtë pranverë që do të vijë ne do ta përfundojmë këtë projekt. Projekti është prezantuar dhe është zgjedhur projekti më i mirë, projekti është duke u kompletuar sepse projekti ndahet në faza, konceptual dhe ideor e përsëris në pranverë ishte dashur që të implementohet i gjithë projekti”.

Opozita në kryeqytet e ka kundërshtuar veprimtarinë që po zhvillohet te tulltorja. Feim Osmani nga LVV-ja, e akuzon komunën për nepotizëm.

“Projekti nuk ka qenë për të investuar aty, ai projekt është zhvilluar që të marrë dikush 1 milion euro. Me qëllim që të vërehet kinse po punohet diçka në Prishtinë dhe për publikun. Edhe të tulltorja është i njëjti sistem i Ramës se si i trajton si pronën publike. E kemi parë me sheshin, me pishinën e Gërmisë e edhe shumë të tjera. Derisa të gjen një njeri që është i tyre dhe që kanë biznes të përbashkët, nuk do të ndodhë asgjë në shërbim të publikes, aty nuk do të ketë art, kulturë, gastronomi dhe asgjë tjetër. Jam i sigurt që nuk ka hise Rama është dikush prej drejtorëve që ia ka dhënë ndonjë miku të tij, ose vetes personalisht asgjë më shumë”, ka thënë ai.

Rama e pati quajtur projektin e tulltores si vend që do t’i japë shpirt kryeqytetit.