Gjendja pandemike në vend nuk ka kaluar pa pasoja as në qendrën rajonale të “Handikosit” në Pejë. Veçanërisht gjendja financiare po i shkakton probleme kësaj qendre që ofron shërbime personave me aftësi të kufizuara nga komuna e Pejës, Klinës, Deçanit dhe Junikut.
Për shkak të mungesës financiare, në këtë qendër janë duke punuar sivjet më tepër në baza vullnetare, duke iu ofruar shërbime të vazhdueshme psikologjike, fiziatrike, vizita shtëpiake, shpërndarje të mjeteve të nevojshme ortopedike dhe shërbime tjera personave të regjistruar në këtë qendër, përfshirë fëmijë e të rritur.
Aktualisht në databazën e saj janë të regjistruar 2 mijë e 245 persona, kryesisht nga komuna e Pejës. Edhe në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, 3 dhjetor, u janë ofruar shërbime personave nevojtarë. Si organizatë jo qeveritare që është “Handikos” është i varur nga projektet, e të cilat sivjet, siç tregon drejtori i qendrës rajonale “Handikos” në Pejë, Egzon Qorkadiu, kanë munguar shkaku i pandemisë. Për çka edhe ka qenë nevoja më e madhe e një mbështetje financiare nga komuna.
“Vështirësitë me të cilat jemi duke u ballafaquar në qendrën tonë janë financiare. Pandemia na ka shkaktuar edhe më shumë vështirësi financiare sepse nuk kemi pas projekte. Gjithashtu ka munguar përkrahja financiare nga Komuna e Pejës. Edhe pse ofrojmë shërbim edhe për persona me aftësi të kufizuara të tri komunave tjera, Komuna e Pejës është ajo që duhet të na ndihmojë, pasi qendra është në Pejë. Mirëpo, kjo komunë që pesë vjet nuk na ka dhënë asnjë cent”, thotë Qorkadiu.
Përkrahja e vetme nga kjo komunë sipas tij janë pagesa e komunalive, një mijë litra karburant dhe 10 metra dru për ngrohje. Për shkak të mos ndarjes edhe të një buxheti financiar, në këtë qendër ndjehen të diskriminuar nga Komuna e Pejës.
“Ka favorizime mes organizatave nga komuna. Disa organizatave u ndanë buxhet e disave jo. Ka organizata që janë shumë më të vogla se ‘Handikos’ dhe të njëjtat përkrahen edhe me mjete financiare, ndërkaq, ne në këtë drejtim jemi të diskriminuar sepse Komuna e Pejës nuk ndanë buxhet për qendrën tonë. Na thonë se nuk ka fonde”, thotë Qorkadiu.
Ai tregon se nga informata që i ka nga me kolegët e tij në qendrat e “Handikos” në disa komuna tjera, ato ndihmohen me pare nga komunat.
“Për shembull, Komuna e Suharekës, që është komunë shumë më e vogël se Peja, i ndan 40 mijë euro për ‘Handikos-in’. Sivjet i kanë marr 28 mijë euro. Edhe Komuna e Gjilanit dhe e Prishtinës i ndihmon me nga 12 mijë euro, kurse ajo e Prizrenit 9 mijë euro. Në këto komuna kanë marrëveshje të veçanta me ‘Handikos’”, thotë Qorkadiu.
Sipas tij, institucionet shtetërore kanë për obligim që t’i ofrojnë këto shërbime që i ofron “Handikos-i”, por kjo nuk ndodh, e as mbështetja financiare. Madje ai akuzon komunën e Pejës se mjetet e parapara për subvencione i kanë ridestinuar për projekte tjera.
Mirëpo, drejtori i Financave, Jeton Abazaj, e mohon këtë.
“Nuk ka pas bartje të mjeteve nga kodi i subvencioneve në kode tjera, dhe pse është e lejuar të bartën deri në 15 për qind të shumës. Por kjo nuk ka ndodhur”, pohon Abazaj.
Për përkrahjen financiare organizatave që ofrojnë shërbime të karakterit social, siç thotë drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Petrit Loci, çdo vit komuna ndanë nga 100 mijë euro.
“Shuma totale e subvencionimeve për mbështetje në forma të ndryshme gjatë një viti është 100 mijë euro për pesë organizatat që ofrojnë shërbime sociale dhe disa organizata tjera. Jo të gjitha organizatat shërbyese sociale i mbështesim njëjtë. Asnjëra organizatë nuk e ka të njëjtin tretman. Nuk mundemi të gjitha OJQ-të me i përkrahë me mjete. Dikë e ndihmojmë me mjete financiare e disave ua paguajmë shpenzimet e komunalive, karburantin, regjistrimin dhe servisimin e automjeteve, drutë për dimër... pra mbështeten në forma të ndryshme”, thotë Loci.
Mirëpo, ai mohon se ka diskriminim në përkrahjen nga komuna ndaj ndonjë organizate. Ai tregon se secila organizatë që ofron shërbime të karakterit social kanë specifika të veçanta.
“Sikur që është strehimorja e grave viktima të dhunës në familje, që është një organizatë komplekse dhe kërkon një tretman më të veçantë. Sikurse edhe një organizatë tjetër e karakterit tjetër, e cila ofron shërbime në aspektin arsimor, social dhe mjekësor e që punon sa disa organizata bashkë”, tregon ai shembuj pse disa organizata mbështeten edhe financiarisht.
Loci tregon se këto janë mundësitë aktuale të komunës për të përkrahur këto organizata dhe sivjet situata me pandemi nuk ka ndikuar në përkrahjen e këtyre organizatave që i kanë në listë, për ndihmën e të cilave, siç shtoi Loci, çdo vit planifikohen mjetet buxhetore.
“I kemi pesë OJQ shërbyese të karakterit sociale që mbështeten vazhdimisht nga komuna në forma të ndryshme sipas karakteristikave dhe shërbimeve që i kanë”, thotë Loci.