Partia Demokratike mbajti të shtunën tubim e takime me qytetarë në Obiliq e Podujevë. Në këto aktivitete të fushatës zgjedhore, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, premtoi rritje të pensioneve si dhe një fond të posaçëm për të papunësuarit
Partia Demokratike e Kosovës tubimin me qytetarët e Obiliqit të shtunën e hapi në një institucion arsimi që e mban emrin e liderit historik të njërës prej partive rivale të saj, LDK-së. Mbështetësit e pritën në shkollën “Ibrahim Rugova”.
Nga aty, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, e kritikoi qeverisjen katërvjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje, për mungesë rezultatesh.
E rezultate, ai ka thënë se mund të gjenerojë qeverisja e ardhshme, nën drejtimin e PDK-së.
“Kur diçka nuk shkon mirë, kur diçka nuk prodhon rezultate, çka duhet të bëjmë, duhet të ndërrojmë për më mirë. Qeveria aktuale nuk ka prodhuar rezultate as në ekonomi, as në arsim, as në shëndetësi, as në diplomaci. Për më tepër më keq i ka përkeqësuar raportet e na ka vendosur në sanksione”, ka thënë Hamza.
Në mesin e zotimeve, ai numëroi themelimin e Gjykatës së Punës dhe krijimin e një fondi për t’i mbështetur financiarisht personat e papunësuar.
“Ta themelojmë Gjykatën e Punës që t’i mbrojmë të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe kemi me e themelu fondin për papunësi që në rast se dikush e humb vendin e punës, ai apo ajo me qenë i paguar për një periudhë të caktuar kohore që mos me përfundu në asistencën sociale”, ka premtuar Hamza.
Nëse do të qeverisë në mandatin e ardhshëm, ai ka premtuar se nuk do të ketë pension nën 200 euro.
Për pensionin bazik është premtuar rritje për 70 për qind.
E pensionet kontributdhënëse, sipas programit të PDK-së, do të rriten dhe përshkallëzohen sipas viteve të punës.
Ndërkaq për të gjitha kategoritë e luftës është premtuar rritje për 50 për qind.
Po ashtu, në mesin e premtimeve është edhe ai se “veteranët nuk do të kenë më nevojë të zgjedhin mes pagës dhe pensionit, sepse do t’u mundësohet ta mbajnë vendin e punës dhe në të njëjtën kohë ta gëzojnë pensionin e merituar”.
E nëse këtë zotim nuk e realizon, kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se do të japë dorëheqje në vitin e parë të qeverisjes.
“Në fillim të mandatit, në muajt e parë të mandatit, po nëqoftëse nuk e bëj në muajt e parë të mandatit, publikisht e kam dhënë fjalën: Më 31.12 të vitit të ardhshëm nuk do të më gjeni si kryeministër”, është zotuar Hamza.
Kandidati për kryeministër, ka vizituar gjatë ditës së shtunë edhe disa biznese në qytetin e Klinës. Ai u zotua se bizneset do ta kenë mbështetjen e qeverisë së tij.
Sipas Hamzës, bizneset me qarkullim deri në 10 mijë euro nuk do të tatohen, ndërsa ato me qarkullim deri në 30 mijë euro do të tatohen sipas fitimit real, pas zbritjeve të lejuara.
Gjatë fushatës zgjedhore, Hamza premtoi 6 miliardë euro për investime kapitale e 25 milionë euro bursa për studentë.
Krahas tubimit në Obiliq, Hamza të shtunën pati takime edhe me qytetarë të Podujevës.
“Sonte Partia Demokratike e paska dridhë, paska puls. Kjo fushatë është më shumë se një garë; është një rrugëtim drejt një të ardhme të re, më të mirë për Kosovën. Është momenti ynë historik, momenti i kthimit të përgjegjësisë për të udhëhequr Kosovën drejt zhvillimit dhe integrimit euroatlantik”, ka thënë ai në Podujevë.
Ai premtoi investime në këtë komunë, përfshirë mbështetjen për fermerët dhe përmirësimin e infrastrukturës.
“Ne do të ndërtojmë depo moderne për produktet bujqësore, që frutat dhe perimet e fermerëve tuaj të kenë mundësi të tregtohen me vlerë meritore në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Rruga Prishtinë-Podujevë do të jetë prioriteti ynë absolut, duke përfshirë ura, trotuare dhe ndriçim, që e keni pritur për një kohë të gjatë”, ka thënë Hamza para mbështetësve.
E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, zhvilloi tubime në Ferizaj dhe në Biçec të Kaçanikut.