Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, të hënën e ka shpalosur para mësimdhënësve programin për fushën e arsimit. Atyre u ka premtuar rritje të pagave për 50 për qind e trajtim të dinjitetshëm. Veç pagave, Hamza ka premtuar edhe reforma të thella në sistemin e arsimit
Paga dhe trajtim të dinjitetshëm u ka premtuar mësimdhënësve, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, në një takim me ta të hënën në Prishtinë.
Teksa para tyre e ka prezantuar programin për fushën e arsimit, Hamza është zotuar se do ta mbajë fjalën për rritje të pagave për 50 për qind.
“Rritje e pagave për mësuesit, profesorët dhe të gjithë punëtorët e arsimit do të ndodh. Përkushtimi i juaj duhet të shpërblehet me paga dinjitoze, prandaj qysh në vitin e parë të qeverisjes sime do të rrisim pagat e sektorit publik për 50 për qind për të siguruar që ju të punoni me dinjitet dhe motivim. E kam ba në të kaluarën dhe ju siguroj dhe garantoj që përtej premtimin elektoral është zotim që do të ndodh”, ka thënë Hamza.
Hamza ka premtuar po ashtu reforma të thella në sistemin e arsimit.
“Do të ketë më pak burokraci dhe më shumë autonomi për mësimdhënësit. Nuk mund të kërkojmë rezultate nga ju nëse në shumicën e kohës jeni të zënë me dokumente dhe raporte të panevojshme. Do ta reduktojmë barrën burokratike. Do ta reformojmë sistemin e vlerësimit dhe inspektimit, si dhe do të vendosim një sistem më transparent dhe të drejtë në vlerësimin e punës suaj”, ka thënë Hamza.
Ai ka premtuar edhe avancim profesional për mësimdhënësit e edhe digjitalizim të sistemit.
“Avancimi profesional për ju në vendin e punës do të ketë gjithmonë vend në qeverinë time. Nuk do të ketë më pasiguri për vendin e punës, do të krijojmë një sistem të drejtë dhe të bazuar në meritokraci, ku promovimi dhe avancimi të bazohen në përkushtimin dhe aftësitë tuaja dhe jo në politika apo ndikime të jashtme”, ka thënë Hamza. “Tabelat digjitale, platforma digjitale të mësimdhënies dhe laboratorë modern do të bëhen pjesë e çdo shkolle tonë. Do të ketë edhe bursa dhe mbështetje financiare për nxënësit dhe studentët tanë. Asnjë fëmijë, asnjë vajzë, asnjë djalë i ri nuk do të ngelet pa i realizu endrrat në mungesë të mjeteve financiare. Për këtë qëllim ne do të themelojmë fondin për bursa shtetërore që do të jetë starti 25 milionë në vjet”.
Gjatë ditës Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka njoftuar se që nga fillimi i fushatës zgjedhore ka zhvilluar mbi 2 mijë takime me qytetarët.
Zëdhënësi Blerand Stavileci ka thënë se më 9 shkurt qytetarët do të vendosin për një Kosovë më të mirë.
“Një gjë është e sigurt, qytetarët duan punë dhe rezultate, zotime të qëndrueshme dhe vepra konkrete. Ata e dinë se kush është Bedri Hamza dhe fjala e tij për ta ka peshë të madhe. Çdo premtim që bën e çon deri në fund. Është një garanci qytetare dhe morale. E kanë parë në punë, e kanë parë të ndërtojë, të zhvillojë dhe transformojë. Prandaj qytetarët po e mbështesin fuqishëm vizionin për një Kosovë më të mirë. Sot me kënaqësi mund të themi se numrat tanë janë në rritje, çdo ditë, çdo orë dhe çdo takim na ka dhënë më shumë fuqi, frymëzim dhe jetë. Mobilizimi që po shohim sot është një rikthim i madh, një forcë që po e merr vendin që i takon”, ka thënë Stavileci.
Programi zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës përmban disa qëllime kyç, si: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë të sigurt dhe të integruar.
Një nga synimet e PDK-së është edhe krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik.
Për nënat dhe çiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK-ja ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private. E për studentët është premtuar themelimi i Fondit shtetëror të bursave dhe ndarja e 25 milionë euro në vit për këtë qëllim. Pothuajse në çdo tubim elektoral, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka përsëritur premtimin se në sektorin publik, me qeverinë e tij, pagat do të rriten për 50 për qind. E rrogat nën 400 euro ka premtuar se nuk do të tatohen.
Veç pagave, rritje për 70 për qind është premtuar se do të kenë edhe pensionet. Hamza është zotuar se përfituesit e skemave pensionale nuk do të detyrohen më të zgjedhin mes ndonjërit prej pensioneve.
Hamza ka premtuar edhe Gjykatën e Punës me qëllim për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve.