Arbëri

Hamza premton përfundim të autostradës Prishtinë-Pejë dhe projektit “Borea”

Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, të shtunën ka mbajtur tubim elektoral me qytetarët e Pejës. Atyre u ka premtuar një varg investimesh në infrastrukturën rrugore e edhe jetësimin e disa projekteve. Ka thënë se me të kryeministër do të përfundohet autostrada, e edhe projekti i një qendre skijimi në Rugovë

Investime në infrastrukturën rrugore në Pejë ka premtuar kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, gjatë tubimit elektoral që e ka mbajtur të shtunën në këtë komunë.

Hamza para qytetarëve është zotuar se do ta përfundojë autostradën Prishtinë-Pejë.

“Jeni prej tatimpaguesve më të mëdhenj në Kosovë, ende nuk është përfunduar rruga. Paratë kanë qenë të siguruara, rruga Pejë-Prishtinë nuk është përfunduar. Ne do ta përfundojmë këtë rrugë. Do ta modernizojmë hekurudhën Pejë - Fushë-Kosovë dhe atë Prizren-Klinë-Fushë Kosovë dhe do t’i elektrifikojmë hekurudhat. Do ta përmirësojmë rrjetin hekurudhor në krejt Kosovën”, ka thënë Hamza.

Ai ka theksuar se programi i tij politik përmban një varg investimesh për Komunën e Pejës. Veç investimeve në infrastrukturë rrugore, ka premtuar edhe jetësimin e projektit të një qendre skijimi në Rugovë.

“Unë sot vizitova Rugovën e bukur, shumë e bukur. Sigurisht që shteti duhet ta kryejë pjesën e vet të punës në infrastrukturë rrugore. Kah shkova, shkova rrugës së majtë, kah u ktheva u ktheva rrugës tjetër. Ka nevojë për investim ajo rrugë. Atë rrugë duhet ta bëjë Qeveria. Ato investime duhet t’i bëjë Qeveria. Të krijojë kushte që të zhvillohet Rugova, të zhvillohet turizmi agrar, malor dhe do të përfundohet projekti i ‘Boreas’. Unë do t’i qëndroj prapa kësaj”, ka thënë Hamza.

Gjatë ditës, kandidati i PDK-së për kryeministër u është drejtuar qytetarëve edhe nëpërmjet një videoje, në të cilën ka përsëritur premtimin për rritje të pagave për 50 për qind, qysh në fillim të mandatit.

“50 për qind më shumë për mësues, infermierë, profesorë, doktorë, policë, ushtarë, zjarrfikës, për 84 mijë të punësuar që realizojnë paga përmes buxhetit të Kosovës”, ka shkruar Hamza.

Ai është zotuar edhe për ofrimin e mbështetjes dhe sigurimin e mundësive të barabarta për gratë në Kosovë.

E lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë së shtunës është takuar me qytetarë të Gjakovës. Në një postim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se shumë qytetarë që në zgjedhjet e kaluara kanë votuar parti të tjera, në zgjedhjet e 9 shkurtit i janë bashkuar PDK-së.

“Janë të shumtë qytetarët që këtë herë po i bashkohen vizionit tonë për një Kosovë më të mirë. Shumë prej tyre që në zgjedhjet e kaluara kanë votuar ndryshe, sot po vendosin për më mirë. Një shembull i jashtëzakonshëm është Liridoni dhe familja e tij e madhe, Berisha, nga Gjakova, të cilët këtë herë po i japin mbështetje Partisë Demokratike të Kosovës. Ky vendim tregon besimin dhe shpresën që qytetarët kanë për një të ardhme më të mirë me PDK-në në qeverisje dhe me Bedri Hamzën kryeministër”, ka shkruar Krasniqi.

Programi zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës përmban pesë qëllime kyçe: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë të sigurt dhe të integruar. Një nga synimet e PDK-së është edhe krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik.

Për nënat dhe qiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private. E për studentë është premtuar themelimi i Fondit shtetëror të bursave dhe ndarja e 25 milionë euro në vit për këtë qëllim.

Pothuajse në çdo tubim elektoral, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka përsëritur premtimin se në sektorin publik, me qeverinë e tij, pagat do të rriten për 50 për qind. E rrogat nën 400 euro ka premtuar se nuk do të tatohen.

Veç pagave, rritje është premtuar se do të kenë edhe pensionet.

Ai ka premtuar edhe Gjykatën e Punës me qëllim për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve.