Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar se në Qeverinë e tij pensionet e veteranëve e ato të invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve, do të rriten për 50 për qind. Hamza u zotua se nën udhëheqjen e tij do të hiqen disa barriera e kufizime që ua mohojnë këtyre kategorive të drejtën në pension. Premtoi trajtim e ilaçe falas për invalidët e luftës.
Dy karrige për tre veteranë ishte “zgjidhja” që u bë në tubimin zgjedhor që Partia Demokratike e Kosovës e organizoi me këtë kategori të luftës.
Kësisoj u desh të gjenin zgjidhje, meqë salla nuk kishte më vend për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-luftëtarët iu rreshtuan të dy himneve, atij kombëtar e edhe atij të Kosovës.
Më pas, i erdhi radha marshit të UÇK-së, që e performoi Arif Vladi.
Takimi me, siç tha, më meritorët e lirisë, kandidati për kryeministër Bedri Hamza, u shpreh se ishte më i veçanti në jetën e tij.
Para tyre, Hamza si fillim dha një premtim idealist.
“Një Kosovë e lirë, demokratike, e barabartë për të gjithë, në NATO dhe në BE. Ky është premtimi im për ju”, ka deklaruar ai.
E në aspektin materialist Hamza dha disa zotime për kategoritë e dala nga lufta.
“Përkrahja për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve do të rritet për 50 për qind në muajt e parë të mandatit të Qeverisë, të udhëhequr nga unë dhe Partia Demokratike”, ka shtuar Hamza.
Premtoi se do të gëzojnë të drejtën në pensionet që i meritojnë.
“Familjarët e dëshmorëve nuk do të detyrohen të zgjedhin mes pensionit të dëshmores apo dëshmorit dhe pensionit të moshës por do t’i marrin të dy pensionet sepse i meritojnë. Pensionin e moshës e garanton ligji dhe pensionin e dëshmorëve për arsye se kanë dhënë gjënë më të çmueshme për lirinë dhe pavarësinë e vendit, fëmijët e tyre”, ka deklaruar tutje.
U zotua edhe për heqjen e disa kufizimeve të tjera.
“Veteranët më nuk do të kenë kufizime por do të kenë mundësi të punojnë dhe të marrin të ardhura nga shteti”.
Para tyre kandidati për kryeministër u zotua për trajtim dhe ilaçe falas për invalidët e luftës.
Paraprakisht, Hamza në Prizren mbajti edhe një tubim rajonal me gra ku premtoi se punësimi dhe pavarësia ekonomike e tyre do të jenë prioritet i qeverisë së tij.