Në hapësirat e një qendre inovative, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar mbështetje për bizneset digjitale. Gjatë ditës Hamza ka zhvilluar takime në fshatra të Vushtrrisë dhe Mitrovicës. Një nga ta, ishte edhe vizita që i bëri fshatit të ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, gjatë së hënës ka vizituar një qendër të teknologjisë dhe inovacionit në kryeqytet.
Teksa është shprehur i impresionuar me projektet e tyre të inteligjencës artificiale e sigurisë kibernetike, Hamza ka premtuar mbështetje për kompanitë e bizneset digjitale.
“Ky sektor ka nevojë për përkrahje, sepse krijon vende të shumta të punës dhe ka potencial të madh eksportues. Udhëheqësit e ICK-së dhe shumë vajza e djem që po e krijojnë ekonominë e re, i sigurova që si kryeministër do të angazhohem për ta bërë Kosovën shtet të dijes, me ekonomi të zhvilluar dhe me mbështetje konkrete për bizneset digjitale”, tha Hamza.
Gjatë ditës, Hamza së bashku me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi kanë vizituar fshatin e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Në njoftimin në Facebook, ata janë shprehur falënderues për mbështetjen e banorëve të fshatit Bairin të Mitrovicës e kanë thënë se pritja dhe mobilizimi i qytetarëve aty për fitore ishte i papërshkrueshëm.
Veç në Mitrovicë, Krasniqi ka mbajtur takim edhe me qytetarë të fshatit Stanoc në Vushtrri.
“Mobilizim. Optimizëm. Fitore! Mbështetja për #MaMirë po rritet dita-ditës në çdo komunë të Kosovës. Faleminderit nga zemra për besimin dhe përkrahjen tuaj të jashtëzakonshme!” – shkroi Krasniqi.
E nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, u është drejtuar qytetarëve nëpërmjet një video adresimi. Hoxhaj ka premtuar digjitalizim të arsimit.
“Partia Demokratike e Kosovës do të shndërroj të gjitha shkollat e Kosovës në shkolla digjitale. Çdo nxënës do të pajiset me llaptop, duke larguar nga përdorimi librat dhe çantat e rënda. Çdo klasë do të ketë SmartBoard, mësim interaktiv dhe dinamik duke integruar Inteligjencën Artificiale në procesin mësimor. Ne mund të arrijmë standarde globale të arsimit duke iu ofruar nxënësve dije dhe shkathtësi të kohës sonë”, tha Hoxhaj.
Partia Demokratike e Kosovës pasdite ka zhvilluar takim me qytetarë edhe në fshatin Shipol të Mitrovicës.