Arbëri

Hamza premton lehtësira e mbështetje për sektorin privat

Programin dhe prioritetet e Partisë Demokratike për zhvillimin ekonomik të vendit, kandidati për kryeministër Bedri Hamza e ka prezantuar para dhjetëra përfaqësuesve të sektorit privat.

Në takimin që mbajti me ta për rreth gjysmë ore, ai e çmoj lart ndikimin pozitiv të këtij sektori në ekonomi, si tatimpaguesit e punëdhënësit më të mëdhenj.

Para ndërmarrësve ai u zotua se në favor të bizneseve do të ketë ndryshime edhe në legjislacion, ndër to pagesa e TVSH-së në brendi.

“Ndryshimi i ligjit për tatim-fitim të korporatave dhe kompanitë që investojnë më qëllim që të lejohet që ato të investojnë më shumë, ato që investojnë mbi 500 mijë euro dhe punësojnë mbi 50 punëtor, 5-10 do të jenë të liruara prej pagesës së tatimit në fitim të korporatave, varësisht prej nivelit të investimeve dhe varësisht prej numrit të të punësuarve", ka thënë Hamza.

E për bizneset e vogla që kanë deri në 10 mijë euro qarkullim vjetor premtoi lirim nga tatimi.

Lehtësira tha se do të ketë edhe në tatimin në paga.

“Pagat deri në 400 do të kenë tatimin zero. Prej 400 deri në 800 me 8 për qind dhe mbi 800 do të tatimohen maksimalisht me 10 për qind”, ka deklaruar ai.

Hamza u zotua se në qeverisjen e tij do të pësojë ndryshim-plotësim edhe ligji për tatimin në pronë, për të cilin tha se ekzekutivi aktual e ka prolonguar deri në vitin e ardhshëm për shkak të fushatës zgjedhore.

Para përfaqësuesve të bizneseve ai premtoi se do të themelojë një agjenci që do të merret me legalizimin e objekteve.

Hamza gjatë ditës ka vizituar një shtëpi të modës.

Në ambientet e kësaj kompanie e cila ka mbi 100 gra të punësuara, ai ka premtuar grante investive deri në 30 për qind.

“Ju siguroj dhe ju garantoj që kam me bë politika të mira fiskale, që kanë me i mbështet bizneset. Kam me i mbështet të gjitha ato biznese që kanë me pas nevojë me i zgjeru linjat e prodhimit, por edhe me i ndryshu linjat e prodhimit. Për 30% kemi me i mbështet me grante. Dhe përtej kësaj, ne kemi me i mbështet edhe përmes lehtësimit në qasje në financa”, është shprehur Hamza.

E pasdite, Hamza ka zhvilluar tubim elektoral me gratë në qytetin e Ferizajt.