Arbëri

Hamza premton hekurudhë elektrike që lidh Mitrovicën me Prishtinën për më pak se 25 minuta

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, fushatën elektorale të enjten e ka përqendruar në komunën që ai e udhëheq prej katër vjetësh. Në tubimin në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë, Hamza është zotuar se me të si kryeministër Kosova do të arrijë zhvillim të lartë ekonomik si dhe përmirësim të marrëdhënieve me aleatët. E për Mitrovicën ka premtuar një hekurudhë elektrike që do ta lidhë qytetin me Prishtinën për më pak se 25 minuta

Pas mbështetjes që katër vjet më parë ia ofruan për t’u zgjedhur kryetar i Komunës, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, të enjten u ka kërkuar qytetarëve të Mitrovicës që të njëjtën përkrahje t’ia japin edhe më 9 shkurt për ta drejtuar Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Në tubimin elektoral në palestrën e sporteve “Minatori”, Hamza ka numëruar zotime për investime në komunën që e udhëheqë që nga viti 2021.

“Ne do t’i hapim dyert për investitorë, duke sjellë miliarda euro investime në miniera, energji dhe industri. Mitrovica do të jetë epiqendra e këtij transformimi. Do ta ringjallim industrinë minerale dhe energjinë e ripërtërishme, do të ndërtojmë rrugë të reja, rrugë moderne dhe një hekurudhë elektrike që lidh Mitrovicën me Prishtinën për më pak se 25 minuta dhe Shkupin për vetëm 1 orë”, ka thënë Hamza.

Nga Mitrovica ai ka premtuar se me të si kryeministër Kosova do të arrijë zhvillim të lartë ekonomik dhe përmirësim të marrëdhënieve me aleatët.

“Do ta gjallërojmë ekonominë dhe do ta forcojmë aleancën me SHBA-në dhe vendet e BE-së e gjitha vendet demokratike të botës. Për ne, për çdo qytetar dhe për Kosovën koha është tash”, ka thënë Hamza.

Edhe të enjten Hamza ka përsëritur premtimin për rritje të pagave e pensioneve.

“Çfarë do të ndodhë pas 9 shkurtit. Do ta kemi një standard të ri në politikë, një qeveri të re. Një qeveri që punon dhe mban fjalët. Prandaj, qysh në muajt e parë të qeverisjes do t’i rrisim pagat në sektorin publik për 50 për qind. Pensionet bazë do të rriten për 70 për qind. Kategoritë e dala nga lufta, jo vetëm që do të marrin pensione më të larta, por do të kenë të drejtë të punojnë edhe në sektorin privat”, ka thënë ai.

Tek ka thënë se shteti i zhvilluar nuk ndërtohet pa arsim e shëndetësi të fortë, Hamza ka numëruar disa premtime për këta sektorë.

“Do ta reformojmë sistemin arsimor, duke e bërë atë të përshtatshme për tregun e shekullit 21. Do ta bëjmë arsimin profesional më të fuqishëm dhe do të investojmë në universitet me standarde evropiane. Ndërsa në shëndetësi do t’i funksionalizojmë sigurimet shëndetësore. Asnjë qytetar nuk do të mbetet pa trajtim mjekësor. Barnat esenciale do të jenë falas. Duhet të dimë dhe ta themi se shëndetësia nuk është luks, është një e drejtë themelore e secilit”, ka thënë ai.

E kandidati i PDK-së për deputet, Memli Krasniqi, ka lavdëruar punën e Hamzës në Mitrovicë teksa ka thënë se Kosova ka nevojë për një udhëheqës sikurse ai.

“Sot Kosova ka nevojë përsëri për një kryeministër që mund të rregullojë krejt atë çka është prishur në katër vjetët e fundit. Sot Kosova ka nevojë për një kryeministër që na bashkon e nuk na ndan. Sot Kosova ka nevojë për një kryeministër që ka një plan konkret, që u qëndron mbrapa premtimeve të tij dhe i realizon ato. E Bedri Hamza na bashkon, ka plan dhe e mban fjalën”, ka thënë Krasniqi.

Hamza ka vizituar të enjten edhe një institucion të edukimit joformal në Mitrovicë, i cili i inkurajon fëmijët dhe të rinjtë të identifikojnë dhe të zhvillojnë talentet dhe aftësitë e tyre përmes lojës dhe teknologjisë.

“Jam shumë i bindur, pa asnjë dilemë, që investimi më i duhur është në resurse njerëzore, sepse vendet janë të pasura sepse kanë njerëz të zotë, edhe ju jeni tu e bërë atë që ka nevojë Kosova, me i ngrit kapacitete njerëzore dhe posaçërisht në disa fusha që janë shumë specifike dhe që janë deficitare, kështu që në gjithë Kosovën keni me e pasë mbështetjen, bashkëpunimin”, ka thënë Hamza.

Programi zgjedhor i PDK-së përmban pesë qëllime kyç: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, arsim për të ardhmen, sistem shëndetësor me pacientin në qendër, një Kosovë të sigurt dhe të integruar. Një nga synimet e PDK-së është krijimi i vendeve të reja të punës dhe sigurimi i stabilitetit energjetik. Për nënat dhe çiftet e reja që nuk kanë mundësi t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike, PDK-ja ka premtuar subvencionim për çdo muaj me nga 100 euro për t’i regjistruar ata në institucione private. E për studentë është premtuar themelimi i Fondit shtetëror të bursave.