Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza ka premtuar përkrahje për prodhuesit, për të cilët u zotua se do të ofrojë subvencione e grante për modernizim të teknologjisë me të cilën operojnë. Gjatë vizitës që bëri në Viti, ai dha edhe të tjera premtime për sektorin privat.
Mbështetje për modernizimin e teknologjisë së prodhimit dhe ndihmë për eksport u ka premtuar bizneseve në Viti kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza.
Gjatë vizitës që bëri në ambientet e një kompanie në këtë qytet, Hamza tha se grante, subvencione, lehtësime fiskale dhe diplomaci ekonomike do të vihen në shërbim të prodhuesve.
“Do të jem partner i juaj, përkrahës i juaj. Shteti do ta kryejë punën e vet edhe përmes subvencioneve dhe granteve kur ju keni nevojë me i ndërru teknologjitë edhe linjat e prodhimit”, ka thënë Hamza.
Nga Vitia ai u zotua se do të ofrojë përkrahje sidomos për sektorin privat.
“Qëllimi jonë është që bizniset të krijojnë vende të punës sepse ju punësoni njerëz, punësohen rinia, rrijnë në Kosovë, e shohin perspektiven në Kosovë dhe kur ju fitoni më shumë ju i rritni pagat edhe sektorit privat për shkak se e kem qëllim edhe sektorin privat, po përmes sektorit privat me i përkrah dhe me i ndihmu edhe të punësuarit në sektorin privat sepse jeni kontribuuesit më i mëdh në rritjen ekonomike të sektorit privat por edhe jeni punëdhënësi më i madh në Kosovë”, ka shtuar ai.
Pasdite Hamza ka mbajtur tubim elektoral me qytetarët e Vitisë, e paradite është takuar me pensionistët, të cilëve u ka premtuar se nëse qeveris në mandatin e ardhshëm, nuk do të ketë pension nën 200 euro.