Në takimin kryesor elektoral që të shtunën e ka mbajtur në Vushtrri, kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, është zotuar për investime e reformë në shumë sektorë. Ai ka premtuar buxhet vjetor prej 150 milionë eurosh, që do të dedikohen për barna esenciale. E, vushtrriasve ua ka premtuar rrugën rajonale Barilevë-Bajgorë
Vëmendje dhe përkrahje për Vushtrrinë ka premtuar kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, në tubimin elektoral që e zhvilloi të shtunën në këtë qytet.
Në këtë komunë që udhëhiqet nga partia së cilës i takon, ai u zotua se do të investojë e t’i përfundojë një sërë projektesh kapitale.
“Ne nuk jemi si të tjerët. Rruga rajonale Barilevë-Bajgorë do të bëhet realitet. Kjo do të hapë rrugën për turizëm dhe zhvillim ekonomik. Do ta funksionalizojmë zonën industriale, që do të tërheqë investime dhe do të hapë vende të reja pune. Këto nuk janë thjesht premtime. Janë angazhime konkrete për të cilat do të mbajmë përgjegjësi. Fitorja është në duart tona”, ka thënë Hamza.
Ai është zotuar edhe për zhvillim ekonomik e për mbështetje të bizneseve.
“Do të rrisim fuqinë blerëse, do ta zhvillojmë ekonominë, do ta lehtësojmë barrën mbi bizneset dhe do të hapim dyert për investime të huaj që do të krijojnë mijëra vende të reja të punës. Kosova nuk duhet të jetë më një vend ku të rinjtë e mendojnë largimin, ne do t’u krijojmë mundësi atyre, arsye dhe alternativa që të qëndrojnë dhe ta ndërtojnë jetën këtu në Kosovë”, ka thënë Hamza.
Kandidati i PDK-së dha premtime specifike edhe për Vushtrrinë.
“Vushtrria është një qytet me histori por edhe me potencial për zhvillim. Vushtrria ka biznese të suksesshme që sot punojnë për tregun e Kosovës, por janë edhe eksportues të rëndësishëm. Ne do t’i përkrahim me politika fiskale përmes lehtësirave tatimore dhe lehtësimit në qasje në financa. Do t’i përkrahim me 30 për qind grante për linjat e prodhimit dhe ndryshimin e teknologjive, për këtë ne do të bëjmë investime konkrete”, është zotuar Hamza.
Edhe në tubimin elektoral në Vushtrri, ai ka përsëritur premtimin për rritje të pagave në sektorin publik, si dhe rritje të pensioneve bazike.
“Pagat në sektorin publik do të rriten 50 për qind. Ju që punon çdo ditë për këtë shtet meritoni më shumë. Pensionet bazike do të rriten për 70 për qind, sepse prindërit tanë nuk duhet të shqetësohen për pleqërinë e tyre. Familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët dhe kategoritë e luftës do të marrin mbështetje të merituar, do të ju rriten pensionet për 50 për qind pa u mohuar e drejta për të punuar”, ka thënë Hamza.
Ai dha zotime edhe për zhvillimin e disa sektorëve, e edhe për reforma.
“Do të punojmë për një arsim që siguron të ardhmen, për një shëndetësi që mbron jetën, që ka në qendër qytetarin. Harrojeni që një shtet i zhvilluar mund të ndërtohet pa arsim dhe shëndetësi të fortë. Ne do ta krijojmë fondin e bursave prej 25 milionë euro në vit. Arsimi do të reformohet për të iu përshtatur tregut të punës, do të investojmë në shkolla profesionale dhe universitet me standarde evropiane”, ka thënë Hamza. “Do ta funksionalizojmë sigurimin shëndetësor. Askush nuk do të mbetet pa trajtim dhe barnat esenciale do të jenë falas. Do të dyfishohet buxheti për barna esenciale dhe do të jetë 150 milionë euro në vit buxheti për barna esenciale”.
Në Vushtrri, Hamzës i ka dhënë mbështetje edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Një tubim i jashtëzakonshëm, një energji elektrizuese dhe një mesazh i qartë: Më 9 shkurt, votojmë për zhvillim, për përgjegjësi, për një Kosovë ma të mirë”, ka shkruar ai në Facebook, pas tubimit elektoral. “Votojmë për Bedri Hamzën, kryeministrin që mban fjalën”.
E gjatë ditës, Hamza iu është drejtuar qytetarëve edhe nëpërmjet një video-adresimi, në të cilin ka përsëritur një nga pikat e programit të tij politik, atë të përkrahjes së çifteve të reja.
“Familjet janë shtylla e shoqërisë sonë. Kemi planifikuar politika që ofrojnë mbështetje financiare për familjet e reja, përfshirë 100 euro në muaj si subvencione për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe private, aty ku nuk ka vend në çerdhe publike”, ka thënë Hamza.
Veç ndarjes së subvencioneve për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private, Hamza ka dhënë premtime edhe për të punësuarit në sektorin publik.
“Në plan e kemi edhe rritjen e pagave. Së bashku, do të krijojmë kushte më të mira, që çdo çift me u ndie i sigurt për të krijuar familjen ideale pa brenga”, ka thënë ai.
Të dielën, tubimin qendror Hamza do ta ketë me qytetarët e komunës së Lipjanit.