Arbëri

Hamza në SHBA: Partneriteti me Amerikën është i rëndësisë jetike

Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Në një postim në Facebook ai ka shkruar se gjatë qëndrimit atje ka zhvilluar një takim me asistentin special të presidentit Biden, ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është drejtor i lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si dhe me drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore të KSK-së, Kathleen Larkin.

Hamza ka thënë se nga këto takime ka marr mesazh të qartë se “SHBA-ja qëndron pranë nesh dhe mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

“Ne u pajtuam që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE. Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Hamza në Facebook. 

Ai ka thënë se për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, partneriteti me SHBA-në është i rëndësisë jetike dhe “për Kosovën e mua edhe i pazëvendësueshëm”.