Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, javën e ka nisur me fushatë në Komunën e Dragashit. Para simpatizantëve, ai ka premtuar zhvillim ekonomik të Dragashit, duke ndihmuar bujqit, blegtorët e prodhuesit e ndryshëm
Brenda hapësirave të një salle dasmash, qytetarët e Dragashit pritën për gjysmë ore të hënën, që t’u bashkohet kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza.
E kur u paraqit, atyre u premtoi mbështetje e investime në Komunën e Dragashit për të zhvilluar ekonominë e kësaj ane.
“Jemi te fokusuar qe ta përkrahim komunën e Dragashit. Ta përkrahim potencialin turistik të Komunës se Dragashit, përmes investimeve në infrastrukturë dhe krijimit të kushteve që të gjithë ata që dëshirojnë ti vizitojnë bukuritë e Sharrit të kenë qasje dhe gjatë gjithë vitit Dragashi të ketë turist”, tha Hamza.
U zotua se nëpërmjet subvencioneve do të përkrahë prodhuesit, bujqit e blegtorët.
Premtoi po ashtu zgjidhje për mungesën e prodhimit të energjisë elektrike e ulje të çmimit të energjisë për ekonomitë familjare e bizneset si dhe themelim të një gjykate të punës.
“Ne do t’i përkrahim të punësuarit në sektorin privat përmes themelimit te gjykatës se punës e cila i garanton të drejtat e punësuarve të sektorit privat dhe do ta themelojmë fondin e papunësisë i cili 80 për qind të pagës së fundit për gjashtë muaj do të ia garantoj secilit të punësuar në rast të humbjes së të vendit të punës”, tha ai.
Gjatë ditës, Hamza ka vizituar edhe një qumështore dhe prodhuesve u ka premtuar përkrahje me grante deri në 30 për qind të vlerës së investimit.
“Qëllimi ynë është t’i përkrahim prodhuesit, që t’i zëvendësojmë produktet që i importojmë, ta furnizojmë tregun, por edhe të eksportojmë. Unë jam këtu me ju për të garantuar që ne do t’ju përkrahim me subvencione. Do t’ju përkrahim me grante. Do t’ju përkrahim me zgjerim të kapaciteteve tuaja, do t’ju përkrahim deri në 30% kur ju të keni për të ndërruar linjat e prodhimit dhe sigurisht që do të përkrahim me subvencione dhe masa të tjera si prodhuesit, ashtu edhe blegtorët”, tha Hamza.
Hamza ka vizituar edhe Hidrocentralin e Orqushës në rajonin e Dragashit, ku ka premtuar ndërtim të liqeneve akumuluese dhe centraleve prodhuese nga energjia e ripërtërishme.
Po ashtu është zotuar se do të përmirësojë kushtet e jetesës në komunat më të vogla, në mënyrë që ta ndalë migrimin e brendshëm.