Arbëri

Hamiti: Vendimin për krijimin e PTT-së së Prishtinës e mori Fadil Hoxha

Ismet Hamiti

Në një bashkëbisedim në podcastin "PIKË" me publicistin Veton Surroi, eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti ka ndarë detaje për krijimin e ndërmarrjes së komunikacionit Posta, Telegrafia dhe Telefonia (PTT) e Prishtinës më 1960.

Sipas Hamitit, vendimi politik për krijimin e PTT-së së Prishtinës është marrë nga përfaqësuesi i shqiptarëve në Jugosllavi, Fadil Hoxha, ndërsa licenca për funksionim është dhënë nga Koça Popoviq.

“Vendimin për PTT-në e Kosovës e ka marrë Fadil Hoxha, licencën për operim e ka dhënë Koça Popoviq. Ishte një vendim politik që thoshte se Posta e Kosovës duhet të jetë e Kosovës”, ka thënë Hamiti, duke shtuar se ndërmarrja mbulonte tërë territorin e Kosovës dhe kishte selinë në Prishtinë.

Surroi theksoi se ky ishte një hap përpara autonomisë politike të Kosovës, duke vënë në pah rëndësinë e themelimit të PTT-së në një kohë të vështirë, gjatë regjimit të ashpër të Rankoviqit.

Hamiti gjithashtu kujtoi se përmes bursës së marrë nga PTT-ja e Kosovës kishte nisur studimet e tij jashtë vendit, duke u bërë pjesë e brezit të të rinjve që, pas kthimit në Kosovë, ndihmuan në ndërtimin e institucioneve vendore.

“Ka qenë kohë e vështirë. As nuk kisha parë telefon, por mora vendimin me studiu dhe më vonë ndihmova në ndërtimin e Postës dhe Telekomit”, përfundoi Hamiti.

Lexo përditësimet tjera
Pikë me Veton Surroin

PIKË me Veton Surroin: Mysafir Ismet Hamiti