Muhamet Hamiti, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Qeveria Kurti në politikën e jashtme ka dështuar tërësisht. Ai ka deklaruar se kjo qeveri e udhëhequr nga Albin Kurti i ka bindur veç “militantët e vet”.
Duke folur për kërkesat e Francës dhe Gjermanisë që të ketë kompromise në dialog, Hamiti ka deklaruar se Qeveria Kurti “tashmë ka bërë kompromise” teksa i ka përmendur Marrëveshjet e Ohrit dhe të Brukselit.
“S’kanë qenë kompromise të vogla të bëra nga kjo qeveri, por për çka tjetër bëhet fjalë duhet të na tregojnë. Kjo po bën lëshime, pasojat po i vuajmë ne. E këta po lavdërohen se i kemi mirë punët. Por në punët e jashtme i kemi më keq se në çdo qeveri”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Sipas tij, Qeveria Kurti është dashur të lëshonte pe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “sepse e ka pranuar vetë në marrëveshje”.
“Kjo qeveri e ka pranuar, pra kemi qeveri që herë e pranon dhe thotë se e ka pranuar dhe lutet që të nënshkruhet marrëveshja që e përfshin edhe asociacionin e herëve tjera kur u duhet për muzikë për veshët e militantëve thotë se nuk e ka pranuar. Po e shihni, kjo Qeveri po ia del. Vetëvendosje me satelitët e vet po ia del t’i bindë veç militantët e vet. Kjo s’mjafton. Qeveria duhet t’i bindë aleatët, miqtë jetikë të vet dhe këtë s’po ia del. Për çështje e kauza të drejta, Kosova e ka vendin në Këshill të Evropës por s’po ia del t’i bindë aletë”, ka thënë tutje ai.
Sipas tij, Qeveria s’ka ditur t’i marrë mesazhet nga partnerët.
Ai ka thënë se Serbia përpiqet ta zvarrisë vazhdimisht dialogun, ndërsa për kryeministrin Kurti të cilin e ka quajtur “populist” ka thënë se ofron zgjidhje “veç në retorikë”.
Ai ka deklaruar se në qeverisjen e Kurtit më shumë është folur për luftën se për ekonominë.