Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka thënë se Kosova nuk ka programe adekuate për rehabilitimin e të burgosurve.
Haliti në “60 Minuta” të KTV-së ka komentuar të gjeturat e raportit të QKRMT-së për burgjet për vitin 2023. Ishte autore e këtij raporti.
Ajo ka thënë se që nga viti 2007 bëjnë monitorimin e burgjeve.
Shqetësimi më i madh, Haliti ka thënë se është mungesa e institucioneve të paraburgimeve për personat me probleme të shëndetit mendor. Sipas saj, në Kosovë po i shkelen të drejtat e njeriut edhe personave me probleme të shëndetit mendor, por edhe të tjerëve, duke thënë se qendra e paraburgimit në Prishtinë është e stërngakuar me persona me probleme të shëndetit mendor.
“Ne kemi dërguar vazhdimisht rekomandime tek institucionet, por pa u themeluar institucioni i psikiatrisë, s’ka vend të përhershëm për personat me probleme të shëndetit mendor”, ka thënë Haliti.
Një tjetër problem në burgje, siç ka thënë Haliti, është edhe mungesa e programeve për rehabilitimin e të burgosurve.
“Shqetësim kemi konsideruar kur një të mitur që e kemi parë në burg vite më herët, e kemi parë të rritur, i kthyer në burg për një vepër më të rëndë penale. Në mungesë të programeve të rehabilitimit, ata po kthehen në recidivist”, ka deklaruar Haliti.
Trendi i tentimvetëvrasjeve është në rënie, sipas të gjeturave të QKRMT-së.
Haliti ka thënë se 16 për qind e të gjithë të burgosurve në Kosovë përdorin substanca narkotike, duke vlerësuar rritjen e përpjekjeve të Shërbimit Korrektues për parandalimin e kontrabandës në burgje.