Zgjedhjet

Haliti s’e përjashton koalicionin VV-PDK

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se partia të cilës i takon nuk e përjashton koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje. 

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Haliti ka deklaruar se nuk sheh asgjë të keqe për një bashkëpunim të mundshëm me partinë në pushtet. 

“Nëse duhet hyrë në koalicion, ne kemi qenë në koalicion me AAK-në, me LDK-në, me Listën Serbe, me pakicat e tjera, me Vetëvendosjen nuk kemi qenë ndonjëherë, tani ndoshta edhe nëse hyjmë në koalicion nuk ka ndonjë të keqe sepse deri tash janë partia më e madhe në Kosovë, nuk shoh diçka të keqe. Nuk kam parë as nga VV-ja as nga PDK-ja se ka disponim për koalicion të mundshëm. Po flas parimisht që nuk ka armiqësi e miqësi të përjetshme në politikë. Interesi i përgjithshëm dhe interesi i madh i Kosovës është që t’i hapet rrugë zhvillimit”, ka thënë ai. 

Ai e ka përmendur edhe mundësinë për t’u krijuar një qeveri teknike, e cila në parim i voton të gjitha marrëveshjet. 

Ai ka njoftuar se në seancën parlamentare të së nesërmes ka mundësi të shpërndarjes së Kuvendit, për çka ka thënë se kryeministri do të ishte mirë që ta fuste në votëbesim qeverinë e vet. 

“Kryeministri do të ishte mirë që ta fuste në votëbesim qeverinë e vet, do të ishte shumë më mirë për të dhe më fer që disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje mos ta votonin, megjithatë formula të cilën mund ta kenë diskutuar është që Kuvendi të shkojë në shpërndarje”, ka thënë ai. 

Haliti tutje ka shtuar se në seancën e së enjtes PDK-ja ka vendosur që t’i votojë marrëveshjet që nuk kanë kaluar deri tani.