Arbëri

Halimi për kandidaturat e Hazirit e Rugovës: LDK-ja s’ka qasje specifike ndaj askujt

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosoëvës, Sibel Halimi, ka thënë se LDK-ja nuk ka qasje specifike për individë të caktuar por se është në një fazë kur po vlerësohet gjendja e partisë në nivel të komunave.

Halimi ka folur në “Interaktiv” të KTV-së rreth kandidaturave të Lutfi Hazirit e Haki Rugovës në Gjilan, respektivisht Istog, për zgjedhjet komunale të vjeshtës, duke thënë se për të gjithë kandidatët potencialë do të bëhet e ditur në mbledhjen e radhës të Kryesisë së LDK-së.

“LDK-ja nuk ka qasje specifike për individë të caktuar por jemi në një fazë kur jemi duke e parë gjendjen e LDK-së në nivel të komunave. Për të gjithë kandidatët potencial do të bëhet publike në mbledhjen e radhës. Tani për tani për emrat për të cilët mund të flasim janë këta 8 të cilët sot e morën aprovimin nga kryesia e LDK-së”, ka thënë Halimi.

Kryesia e LDK-së ka miratuar sot disa kandidatë për zgjedhjet komunale.

Sipas njoftimit të kësaj partie, në Prishtinë do të kandidojë Përparim Rama, në Podujevë, Ekrem Hyseni, në Pejë Gazmend Muhaxheri, në Suharekë, Ardian Shala, në Lipjan, Imri Ahmeti, në Fushë-Kosovës, Burim Berisha, në Viti, Sokol Haliti, në Vushtrri Xhafer Tahiri.