Arbëri

Hakerët rusë sulmuan faqet e institucioneve të Kosovës

Sulm kibernetik

Hakerët rusë kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës, të cilat gjatë ditës nuk kanë qenë në funksion. Cak i sulmeve kanë qenë faqja e Presidencës dhe Kryeministrisë, të cilat edhe janë rikthyer shpejt në funksion.

Këto faqe janë sulmuar, siç ka njoftuar për RTKLive, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas deklaratave që ai i ka dhënë kundër Rusisë.

“Ky grup i hakerëve rus ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës time në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar Maqedonci, i cili ka qëndruar në Poloni në Konferencën e mbrojtjes "Defense 24".

Në reagimin e hakerëve rusë përmendet fjalimi i ministrit Maqedonci, i cili ka thënë, sipas tyre, se

“Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”.
“Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojnë më shumë për këtë...”, kanë shkruar rusisht këta hakera duke përmendur ministrin Maqedonci.