Arbëri

Hakaj: Komuna u zotua t’i ndjekë procedurat për marrjen e miratimit për sheshin “Xhorxh Bush”

pr

Komuna e Prishtinës është zotuar se do t’i ndjekë procedurat për pajisje me miratim nga institucionet e Trashëgimisë Kulturore lidhur me punimet në rrugën “Xhorxh Bush”, ka thënë drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në MKRS, Imer Hakaj. 

Hakaj përmes një komunikate ka njoftuar se inspektorati ka pranuar njoftim për punime, “ndërhyrje të paautorizuara në një zonë ku ka asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje” dhe se pas takimit me zyrtarët përkatës së Komunës së Prishtinë, punimet janë ndalur. 

“Pas takimit dhe informimit të tyre për këtë vendim, janë vendosur shenjat zyrtare për ndalim të punimeve. Vendosja e shenjave është bërë në prezencën e drejtorit për transformim të Komunës së Prishtinës, Gëzim Kastrati, i cili ka nënshkruar procesverbalin e inspektorëve të ITK-së për ndalim të punimeve dhe është zotuar se do të ndjekin procedurat për pajisje me miratim nga Institucionet e Trashëgimisë Kulturore sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe akteve të tjera përcjellëse”, ka thënë ai. 

Institucionet përgjegjëse për Trashëgimi Kulturore, QRTK Prishtina dhe IKMM, kanë konfirmuar se Komuna e Prishtinës, konkretisht drejtoritë përkatëse: Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Planifikimit Strategjik apo Drejtoria për Transformim të Komunës së Prishtinës, nuk kanë kërkuar leje për punë siç e thotë ligji i trashëgimisë kulturore, kur punohet në afërsi të aseteve të Trashëgimisë Kulturore dhe zonave mbrojtëse, ka sqaruar Hakaj.