Arbëri

Hajrullahu: Ka interes nga kompanitë për bartjen e udhëtarëve nga Kumanova në Gjilan dhe anasjelltas

Ndërmarrja publike “Stacioni i Autobusëve” në Gjilan ka konfirmuar se ka vendosur kontakte me kompani private të cilat kanë shprehur interes për bartjen e udhëtarëve në relacionin Kumanovë-Gjilan dhe anasjelltas.

Transporti i organizuar i udhëtarëve do të realizohet nëpërmjet pikës kufitare në Stançiq e cila lidh shtetin e Kosovës dhe shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Kryeshefi i ndërmarrjes publike “Stacioni i Autobusëve” në Gjilan, Avni Hajrullahu, deklaron se një kompani private e cila operon në shtetin e Maqedonisë së Veriut ka shprehur interes për operim dhe sipas tij një linjë e re ndërkombëtare në transport ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është e dobishme.

Ai thotë se kompanitë e interesuara duhet të ndjekin procedurat ligjore dhe se është Ministria e Transportit në Kosovë dhe Ministria e Transportit në Maqedoni të Veriut të cilat do të vendosin në këtë çështje.

“Kufiri është i hapur dhe njerëzit qarkullojnë dhe natyrisht që ka edhe kompani të interesuara që duan të bartin udhëtarë. Tash kompania nga Maqedonia Veriore duhet të ketë një partner në Kosovë dhe duhet të jenë të licencuar dhe që u lejohet bartja e udhëtarëve jashtë kufijve. Këto kompani duhet të bëjnë një marrëveshje dhe e dërgojnë në Ministri. Ministria u lejon një rend të udhëtimit dhe ata paguajnë një shumë të caktuar. Ata duhet që t’i përmbahen atij rendit të udhëtimit shembull kërkohet tri herë që të nisen nga Gjilani dhe tri herë nga Maqedonia e Veriut. Llogaritet 6 herë në ditë me pas shkuarje dhe kthim. Kjo është procedura”, ka thënë ai.

Hajrullahu deklaron se ata përfitojnë 5 euro nga peronizimi çdo ditë nga kompania e cila shfrytëzon hapësirat e stacionit.

Ndërkaq kompania e autobusëve “QAG Tours” nga Kumanova në përgjigjen për gazetën kanë deklaruar se ata janë në pritje të rregullimit të dokumentacionit dhe pasi të përfundojnë procedurat atëherë ata do të startojmë me udhëtimet e tyre në drejtim të Kosovës. Ata janë të bindur se kjo linjë ndërkombëtare do të jetë profitabile për palët.

“Kostoja e biletës do të jetë 4 euro për një person për një drejtim. Besojmë që kjo linjë do të jetë profitabile për ne si kompani. Mirëpo edhe ata që udhëtojnë bileta nuk është e shtrenjtë. Jemi në pritje dhe posa të rregullojmë dokumentacionin do të startojmë me autobusët. Kemi gjetur edhe partnerin tonë në Kosovë dhe kemi marrëveshje. Lidhjet familjare në dy anët e kufirit kanë shfaqur nevojën që të kemi një transport të organizuar”, thuhet në përgjigjen e tyre.