Arbëri

Në institucione publike do të jepen informata në gjuhën e shenjave

Përmes kalendarit të aktiviteteve për vitin 2020, Qeveria e Kosovës ka paraparë një mori veprimesh për të lehtësuar jetën e personave me aftësi të kufizuara, ka thënë Habit Hajredini, nga zyra për qeverisje të mira pranë zyrës së kryeministrit.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të premten që vitin 2022 ta shpallë vit të personave me aftësi të kufizuara.

Hajredini ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se një prej planeve është që në shumë institucione publike të jepen informata në gjuhën e shenjave për personat e verbër.

“Ne si zyre që e kemi koordinuar këtë proces, kemi punuar dhe kemi vendosur një kalendar të aktiviteteve për tërë vitin 2022 se çka duhet të punojmë dhe çka duhet të adresojmë. Ne kemi punuar me të gjithë sektorët e ministrive, me departamente të ndryshme dhe ministritë përkatëse, kemi vendosur aktivitetet që do të duhej të punojmë dhe kemi pasur përkrahjen e të gjithë zëvendësministrave. Është paraparë që në të gjitha qendrat mjekësore të kemi ekran për informacion me gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë. Pa hyrë në detaje për shtretërit që duhet të sigurohen për personat me aftësi të kufizuara”, ka thënë Hajredini.

Sipas tij, kjo parashihet të ndodhë edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe nëpër autobusë, duke shtuar se për aeroportin parashihen edhe karrocat për hyrje në aeroplan për personat që nuk mund të lëvizin.

Duke folur për sektorin e arsimit, Hajredini ka thënë se prioritet është që të ofrohet arsim cilësor tek fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Pedagogët synohet të jenë profesionistë për fëmijët që nuk dëgjojnë, fëmijët e verbër, ata me autizëm apo me sindromin Doën. Nuk mundet një pedagog t’i ofrojë asistencë njëjtë si një fëmije që nuk dëgjon ashtu edhe atij të verbër. Ajo që është vendosur prioritet te Ministria e Arsimit është për të siguruar dhe vendosur sintezën vokale në gjuhën shqipe. Jemi vendi i vetëm që nuk e kemi sintezën vokale, që u mundëson personave të verbër për të pasur qasje në gjuhën shqipe”, ka thënë Hajredini.

Ndërkaq duke folur për punësimin e personave të kësaj kategorie nëpër institucione publike, ai ka shtuar se niveli i punësimit nuk është i kënaqshëm.

Ndërkohë, organizata “You Can Do” e cila punon për riaftësimin dhe punësimin e njerëzve me aftësi të kufizuara ka organizuar të premten “Darkën e Errët”, ku është darkuar në errësirë, për të bashkëndierë me personat e verbër.