Flet Prokuroria

Hajdari zgjedh të mbrohet në heshtje për rezervat shtetërore

Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari (Foto: KOHA)

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, është paraqitur për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës për rastin e rezervave shtetërore, por të hënën s’është deklaruar.

Prokuroria njoftoi për KOHËN se Hajdari shfrytëzoi të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, nën dyshiminse ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Pas interesimit të madh të mediave, Prokuroria Speciale, njofton opinionin publik se, sipas ftesës së kësaj prokurorie, Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, e njëjta sot nuk është deklaruar, dhe siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, thuhet në njoftimin e Speciales.


Hajdari përfundon intervistimin në Prokurorinë Speciale për rastin e rezervave shtetërore

Ministrja e Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është intervistuar në Prokurorinë Speciale të hënën lidhur me skandalin e rezervave shtetërore.

Pasi ka dalë nga objekti i Prokurorisë, Hajdari ka folur për media, por nuk ka dhënë detaje se për çfarë është intervistuar.

“Derisa t’i marrim qartësimet përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet”, ka deklaruar Hajdari, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale më 18 gusht 2023, kishte zhvilluar një aksioni për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.

Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë, Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.

Ndërkaq, më 31 gusht 2023, Muharremi dhe dy të zyrtarët shtetërorë ishin liruar nga paraburgimi. Muharremi dyshohet se ka ndërmjetësuar kundërligjshëm në blerjen e rezervave shtetërore nga Turqia dhe Polonia.

Ai dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorë Gara, dhe Lipovica , që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore. /BetimipërDrejtësi