Arbëri

Hajdari s’dorëhiqet pas dënimit nga gjykata

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, nuk ka sqaruar nëse do të japë dorëheqje pas vendimit dënues të gjykatës për mosdeklarim të pasurisë. Në konferencën e fundvitit, ajo ka folur për sukseset e Ministrisë që drejton në disa fusha. Përmirësimi i të bërit biznes ishte njëri prej prioriteteve kryesore të këtij viti, ka thënë Hajdari.

Një ditë pasi gjykata e dënoi me 700 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, nuk ka treguar nëse do të japë dorëheqje pas këtij vendimi.

Në konferencën e fundvitit, Hajdari është arsyetuar me faktin se mosdeklarimi i pasurisë me kohë kishte ndodhur pa dashje për shkak të faktorit kohë.

“Kur kishim pandeminë, kur ishim në përballje me krizën me pandeminë, kur kishim edhe konfuzion më shumë raportime që ishin shtyrë gjatë kohës së pandemisë dhe me asnjë përfitim, nuk kemi të bëjmë me asnjë përfitim, nuk kemi të bëjmë me asnjë dëmtim të askujt, pra është çështje e lëshimit të kohës kur kemi raportuar me vonesë dhe si pasojë e qasjes sime në gjykatë lidhur me këtë çështje, është përcaktimi i tillë i vetë dispozitës ligjore, unë nuk kam marrë ende vendimin, do ta marrë ta analizojë dhe kështu”, ka thënë Hajdari.

Hajdari është lavdëruar për punën e saj gjatë këtij viti, derisa ka thënë se prioritet kryesor i Ministrisë së saj ishte përmirësimi i klimës për të bërë biznes në Kosovë.

“Përmirësimi i të bërit biznes ka qenë njëri ndër prioritetet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vitin 2022 dhe për këtë qëllim kemi punuar në hartimin e politikave dhe kornizës legjislative krahas programeve përkatëse për ndërmarrjes e vogla dhe të mesme dhe agjencimin e tregut vendor”, ka shtuar ajo.

Si sukses tjetër të kësaj Ministrie, sipas Hajdarit, ishte edhe nisja e negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.

Kosova, sipas Hajdarit, kishte rritje të investimeve nga jashtë deri në 43.6 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Edhe eksporti mallrave nga janari deri në tetor, sipas ministres, arriti në 774 milionë euro apo 26 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.