Arbëri

Guvernatori i përgjigjet opozitës: Asnjë nen i rregullores nuk është diskutuar në Bruksel

Pjesëmarrja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, në takime në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë është kritikuar nga deputetët opozitar në Komisionin për Buxhet. Ata kanë kërkuar sqarime nëse ka pasur autorizim për një gjë të tillë, duke shtuar se kjo është jashtë kompetencave të BQK-së. Guvernatori ka thënë se asnjë nen i rregullores nuk është negociuar në Bruksel dhe se atje nuk ka pasur as diskutime për dinarin

Pjesëmarrja e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili në takimin në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë, është kritikuar nga deputetët opozitarë të Komisionit për Buxhet. Gjatë mbledhjes së mbajtur të mërkurën ata kanë kërkuar sqarime nga Ismaili nëse ka pasur autorizim apo është shantazhuar për të qenë pjesë e këtij takimi.

“A keni pasur presion që ta përfaqësoni Kosovën në dialog në Bruksel”, ka pyetur deputeti Pal Lekaj, duke shtuar se me ligj nuk parashihet një gjë e tillë.

“A keni pasur shantazh, presion ose diçka të kësaj natyre? Se nuk ka ndodh në histori të Kosovës që një guvernator ta përfaqësoj Kosovën në dialog, që ta merrni këtë barrë. Në cilin ligj jeni bazuar që ta merrni këtë barrë? A frikësoheni që një ditë do të dënoheni për këtë gjë?”, ka shtuar Lekaj.

Guvernatori Ismaili ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka pasur presion dhe se pjesëmarrja e tij në këtë takim ka qenë për të sqaruar një rregullore që është nxjerrë nga institucioni që ai drejton. Ai ka thënë se para se të shkonte në këtë takim është njoftuar Bordi i BQK-së, e po ashtu ka pasur konsulta të brendshme me Qeverinë.

“Asnjë partner nuk ka kërkuar nga ne për ta ndërruar rregulloren, për ta shfuqizuar atë. Rregullorja nuk ka ndikim në pranimin e transfereve ndërkombëtare. Nuk ka asnjë arsye ligjore që të mendohet që kjo rregullore ka pamundësuar financimin e qytetarëve në Kosovë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, asnjë nen i rregullores nuk është negociuar dhe se nuk ka pasur diskutime as për dinarin.

“Ju konfirmoj që nuk ka pasur negociata, BQK as një fjalë nuk ka qenë me negociuar. Rregullorja është në fuqi dhe është më zbatim. Nuk ka pasur dhe nuk ka negociata, sepse nuk ka kuptim. Kjo rregullore është e BQK-së. Në e kemi shpjeguar para çdo ambasadori rregulloren. As një prejse, as një pik nuk është diskutuar nga rregullorja. As nuk është diskutuar dinari, ne e kemi bërë të qartë me shkrim para se të shkojmë se çka mund të diskutojmë”, ka thënë ai.

“Unë nuk besoj që i kemi bërë dëme Kosovës më këtë e as dobi. Me ndershmërinë më të madhe publike nuk ka kurrë që mundet me ndodh diçka e kundërligjshme”, ka shtuar Ismaili.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar sqarime nga guvernatori se me çfarë autorizimi ka shkuar në Bruksel për t’u takuar me palën serbe për një rregullore që është nxjerrë nga BQK-ja.

“A keni marr ju drejtpërdrejt ftesë nga ndërmjetësi për dialog Lajçak për të shkuar në Bruksel për të diskuar me palën serbe këtë rregullore”, ka thënë Hoti.

Deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka pyetur guvernatorin se a janë konsultuar paraprakisht me qeverinë për takimin në Bruksel.

“Thatë që nuk keni bërë raport kur jeni kthyer, por konfirmuat që keni takuar nivele politike të një shteti tjetër. Ju nuk jeni të dërguar politik, por keni takuar persona politik të një shteti tjetër. Si e komentoni këtë dhe pse nuk keni bërë raport dhe si e komenton qëndrimin tënd në takim politik”, ka pyetur Shala.

Guvernatori Ismaili ka thënë se ftesën për takimin në Bruksel ju ka shkuar nga qeveria dhe se kanë pasur konsultime.

“Nuk kemi dërguar raport, e kam informuar Bordin edhe para se me shku edhe kur kemi ardhur”, ka thënë ai.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për masat e vëna nga BE-ja në qershor të 2023, për të cilat Ismaili ka thënë se nuk kanë pasur ndikim direkt në punën e BQK-së dhe se kanë vazhduar bashkëpunimin me partnerët dhe BE-në dhe se BQK-ja është përjashtuar nga çfarëdo lloj kufizimi.

“BQK-ja ka qenë, po besoj, qëllimshëm e përjashtuar nga çfarëdo lloj kufizimi. Kështu që ne kemi vazhduar të marrim asistencat e nevojshme, të jemi pjesëmarrës të gjithë dinamikës që ka qenë e paraparë, me këtë rast i falënderoj që ndikimet e tjera jashtë Bankës Qendrore nuk kanë reflektuar në cilësinë e bashkëpunimit tonë”, ka thënë ai.

Ismaili i pyetur nga deputeti i AAK-së, Pal Lekaj nëse lufta Ukrainë-Rusi ka ndikuar në ekonominë e Kosovës, ka thënë se duke qenë se vendi ynë është i varur nga importi në masë të madhe është ndikuar drejtpërdrejt, por shtoi se në mesin e këtij viti pritet që situata të normalizohet.

“Sipas vlerësimeve tona, fundi i vitit 2022, inflacioni ishte 11.6 për qind, fundi i vitit 2023 u mbyll me rreth 4.9 për qind. Pra, nga 2021-2023 filloi normalizimi dhe 2024 dhe të gjitha parashikimet edhe të organeve kryesore botërore kanë parashikim që te mesi i këtij viti do të kthehet në normalitet, sa i përket presionit inflacionist... Ekonomia jonë duke qenë e varur nga importi në masë të madhe është ndikuar drejtpërdrejt, kjo ka ndikuar sigurisht edhe në sistemin bankar në vendet ku ka reflektuar edhe në koston e financimit”, ka thënë ai.

Guvernatori u pyet edhe për konkursin për zëvendësguvernatorë, në të cilin është përzgjedhur Milot Cakaj. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka pyetur se a është në dijeni në lidhje me disa informata që kanë qarkulluar se Cakaj, ka pasur lidhje me informatoren e BIA-s në Kosovë, Jelena Bjellica.

Lidhur me këtë, Ismaili tha se konkursi është përsëritur, por që Cakaj ka dalë i pari në listën e kandidatëve, ku kanë aplikuar 15 kandidatë. Përveç kësaj, guvernatori i BQK-së, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Buxhet dhe Transfere tha se asnjë informatë e tillë nuk ka arritur në Bankën Qendrore, e po ashtu asnjë ankesë nuk është ushtruar ndaj procesit të përzgjedhjes të asnjërit nga këta zëvendësguvernatorë.

Ai shtoi se në BQK nuk ka vend askush që nuk plotëson integritetin profesion dhe të sigurisë kombëtare.