Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, e ka akuzuar Qeverinë për vërsulje ndaj rendit ligjor dhe kushtetues të Kosovës me qëllim që ta vërë në shërbim të partisë në pushtet.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Gruda ka thënë se shkelja e Kushtetutës nga ekzekutivi ka kaluar në nivel të rrezikshëm.
“Kemi një vërsulje të Qeverisë ndaj rendit kushtetues dhe ligjor të Kosovës për ta shkatërruar dhe ta vënë në shërbim të partisë në pushtet, sepse çdo normë që është shkruar aty është në shërbim të partisë në pushtet. Jemi në një situatë kur shkelja e Kushtetutës ka kaluar në një nivel tjetër, në një nivel të rrezikshëm ku edhe pasi që konstatohen shkeljet, ato përsëriten”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Gruda ka thënë se dispozitat në këtë projektligj janë shkruar me qëllim që KPK-ja të merret në dorë të pushtetarëve.
“Cili është qëllimi prapa shkeljeve te Këshilli Prokurorial? Ka vetëm një qëllim, është shumë i qartë, kur i lexoni ato dispozita e shihni që janë shkruar me një qëllim: të mund ta gjejnë një formulë ligjore për ta marrë në dorë Këshillin Prokurorial, organin e akuzës”, ka thënë ai.
Lidhur me deklaratën e Bashkimit Evropian se është në pritje të rezultateve të hetimeve nga Kosova për sulmin në Banjskë, Gruda ka thënë se situata është menaxhuar keq nga Qeveria, andaj edhe nuk është arritur që Serbia të vihet para përgjegjësisë në lidhje me këtë sulm.
“Është jashtëzakonisht keq që sulmi i Banjskës i vihet si barrë Kosovës. Përveç që e thotë zëdhënësi i BE-së dhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pak muaj pasi kishte ndodhur Banjska, u krijua një atmosferë për shkak të veprimeve të Qeverisë në lidhje me dinarin, me të cilat Kosova llogaritej më shumë fajtore sesa Serbia, mendoj që komplet kjo situatë është menaxhuar keq prej Qeverisë dhe nuk është arritur ajo që kemi kërkuar në vënien e Serbisë para përgjegjësisë në lidhje me këtë sulm. Kosova po shkon në Bruksel në disavantazh sepse po shkon e sanksionuar. Nuk do të duhej të ishte kështu. Ky dobësim i pozicionit të Kosovës ka pasur pasoja në dialog. Ka qenë një keqmenaxhim i skajshëm i kësaj situate”, është shprehur ai.