Ish-kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, ka thënë se edhe pushtetit edhe opozitës u konvenon zvarritja e procesit për themelimin e institucioneve.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Halimi ka deklaruar se as partia në pushtet por as ato në opozitë nuk janë të koordinuara mjaftueshëm për të proceduar me formimin e Qeverisë.
Sipas tij, po t’i kishte numrat, opozita do ta konsumonte afatin ligjor për të proceduar.
“Të dy palëve po u konvenon zvarritja e procesit, sepse asnjëra palë nuk është e koordinuar dhe me numra të mjaftueshëm për të proceduar drejt themelimit të Qeverisë. Edhe opozita nuk është se i ka numrat, sepse po të ishte e gatshme për të proceduar me formim të Qeverisë, do ta fillonte sot këtë momentin kritik të fillimit të rrjedhjes së afateve dhe do ta konsumonin një orë më parë afatin ligjor për të proceduar. Për shkak se nuk i kanë numrat dhe koordinimin e duhur politik, atëherë e kanë gjetur një lloj loje në mesfushë për ta zvarritur sa më shumë kohën dhe presin për një moment të ri”, ka thënë ai.
Krasniqi: Opozita ia ka bërë një shërbim të mirë Kurtit, e ka futur veten në kurth
Redaktori i Grupit KOHA, Besnik Krasniqi, ka thënë se veprimi i opozitës për të mos votuar Raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve në seancën konstituive të martën ka rezultuar në një favor për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Krasniqit, duke mos e kaluar raportin, opozita i ka dhënë Kurtit më shumë kohë dhe hapësirë për të siguruar shumicën parlamentare, në një kohë kur Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishte këtë mbështetje të nevojshme.
“Opozita ia ka bërë një shërbim të mirë Kurtit, sepse siç u pa në komunikimet, nuk është se sot LVV-ja do ta kishte shumicën për të zgjedhur kryeparlamentarin e më pas qeverinë. Opozita ia ka dhënë më shumë kohë për të negociuar”, u shpreh Krasniqi në “Konfront” të KTV-së.
Ai shtoi se opozita është futur në një kurth politik, pasi ka ndërtuar argumentin kundër raportit mbi bazën e dorëheqjes së munguar të anëtarëve të Qeverisë, siç e kërkon Ligji për Qeverinë.
“Ligji për Qeverinë e specifikon se dorëheqja duhet të ndodhë para certifikimit të rezultateve. Nuk ka ndodhur. Çdo dorëheqje pas certifikimit është e jashtëligjshme dhe nuk mund të kuptohet ndryshe”, ka deklaruar ai.
Krasniqi vlerësoi se opozita ka humbur një mundësi për ta lënë Kurtin të dështojë në përpjekjet për formimin e institucioneve, gjë që do të mund t’u hapte atyre rrugën për të marrë drejtimin e procesit politik.
Thaçi: Qëndrimi i opozitës e ka pamundësuar themelimin e institucioneve
Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se qëndrimi i opozitës për të mos e votuar raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, ka pamundësuar themelimin e institucioneve, duke e bërë situatën më problematike.
“Qëndrimi i sotëm i opozitës e ka pamundësuar në emër të ndalimit të konfliktit të interesit, e ka ndaluar themelimin e institucioneve, që është më problematike. Në rrethanat ekzistuese kjo procedurë krejt formale e teknike duhej të kalohej e të pritej për, të themi, eventualisht shkeljen në pikëpamje të konfliktit të interesit”, ka thënë Thaçi në “Konfront” të KTV-së.
Ka dështuar të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës të martën, pasi që nuk ka kaluar raporti i Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve. PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja kanë votuar kundër raportit.
Osmanaj: E pakuptimtë që të jepet dorëheqje në një mandat të përfunduar
Hulumtuesi në Institutin e Fondacionit Friedrich Ebert, Egzon Osmanaj, ka thënë se është e pakuptimtë që dikush të japë dorëheqje nga posti që mban në një mandat të përfunduar.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Osmanaj ka thënë se ka nene të cilat e specifikojnë se kur përfundon mandati i qeverisë dhe nuk ka nevojë të jepet dorëheqje në një mandat të përfunduar.
“E kemi një qeveri që i ka përfunduar mandati, nenet 28 dhe 29 specifikojnë se kur përfundon mandati i qeverisë dhe për mua nuk ka kurrfarë kuptimi që në një mandat që ka përfunduar, të japë dikush dorëheqje prej postit që e mban në kuadër të atij mandati, pra nëse je sekretar i përgjithshëm në ministri dhe të përfundon mandati nuk ke nevojë të japësh dorëheqje sepse ka përfunduar mandati. Në momentin që certifikohet një kandidat ose një garues në zgjedhje, certifikohet si deputet i ardhshëm, për mua ky është fillimi dhe mekanizmi i filtrimit të çfarëdo pengese tjetër”, ka thënë ai.
Gruda: Dorëheqja nënkupton se ai zyrtar nuk shkon më në zyrë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se dorëheqja do të thotë largim nga detyra, jo interpretim politik, siç sipas tij, po provohet ta bëjë pushteti.
Deputetët e legjislaturës së nëntë të martën nuk përkrahën raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Sipas partive që deri tash ishin në opozitë, kërkesë është që anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të japin dorëheqje nga postet qeveritare para se të bëhen deputetë. Kjo është kundërshtuar nga VV-ja që ka thënë se anëtarët e saj tashmë janë dorëhequr. Seanca konstituive dështoi gjatë ditës së sotme.
Gruda ka thënë se, përpara se të vihej në votim raporti, është kërkuar verifikimi nëse kryeministri dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje, ashtu siç e kërkon ligji. Sipas tij, pas shqyrtimit të dokumentit të dorëzuar nga kryetari i Komisionit, që vjen nga VV-ka, është konstatuar se nuk bëhej fjalë për akt dorëheqjeje, por për një deklarim të mëhershëm të kryeministrit që Qeveria konsiderohet “në dorëheqje”. Ai ka shtuar se nuk mund ta votonin Raportin për shkak se ishte jokushtetues.
“Kur e lexova, ishte qëndrimi i njëjtë që ka mbajtur kryeministri që ditën e certifikimit – që nuk largohet nga detyra, por konsiderohet qeveri në dorëheqje. Unë i thashë kjo nuk është dorëheqje sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë. Nuk mund ta konsideroj dorëheqje, nuk ishte e tillë”, deklaroi Gruda.
Ai theksoi se dorëheqja duhet të ndodhë në mënyrë individuale nga secili ministër dhe nga vetë kryeministri, dhe se një interpretim politik nuk mund të zëvendësojë aktin juridik të dorëheqjes.
“Dorëheqja në çdo kuptim në botë do të thotë që ai zyrtar më nuk shkon në zyrë”, përfundoi Gruda.