Banorët e Ferizajt prej vitesh po përballen me telashe në hyrje-dalje të qytetit, pasi punimet në rrugët regjionale kanë mbetur në gjysmë. Ata ankohen për dëmtim të veturave, e zyrtarë komunalë thonë se Ministria përkatëse nuk po u përgjigjet
Pjesët e hyrje-daljeve të rrugëve regjionale që lidhen me Ferizajn, prej vitesh janë vështirë të kalueshme për shkak të zvarritjes së punimeve për riasfaltim dhe zgjerim.
Për këto projekte, vite më parë Ministria e Infrastrukturës pati lidhur kontrata me operatorë të ndryshëm në vlerë qindra-mijëra euro, mirëpo punimet nuk janë kryer sipas dinamikës së paraparë dhe kjo ka nxitur revoltën e qytetarëve dhe të partisë opozitare në Ferizaj – LDK.
“Po është fatkeqësi që këto rrugë kryesore që janë në ndërtime sipër janë rrugë regjionale, andaj ne po detyrohemi të kalojmë përgjatë rrugëve, andaj duhet personat përgjegjës si kompania apo autoriteti që e ka lëshuar këtë vendim për rrugë duhet të merret më seriozisht që kryhen sa më shpejt, kështu që edhe qytetarët të mos kenë dëmtime te veturat e tyre dhe më vonë mund që personat përgjegjës të pësojnë padi shkaku i dëmtimit të veturave”, ka thënë Lorik Krasniqi – qytetar.
“Gjendja ekzistuese e rrugëve regjionale në hyrje-dalje të qytetit të Ferizajt është e mjerueshme sepse çdo ditë jemi duke u përballur me kërkesa dhe ankesa nga qytetarët për shkak se kjo gjendje e rrugëve po shkakton edhe dëme materiale tek ta. Ne si subjekt edhe nëpërmjet asamblistëve i kemi bërë presion komunës sonë që ta ngritë zërin te Qeveria, e cila nuk është duke bërë asgjë sa i përket përmirësimit të gjendjes së këtyre rrugëve”, ka thënë kryetari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi.
Në Komunën e Ferizajt kanë thënë se disa herë i kanë bërë shkresa zyrtare nivelit qendror për gjendjen e rrugëve regjionale në Ferizaj, mirëpo deri më tash nuk janë shqyrtuar ato.
“Janë rrugë tepër të frekuentuara jo vetëm nga qytetarët e Ferizajt, por edhe nga qytetet e tjera që i përshkojnë këto rrugë nga Prizreni në Shtime dhe Ferizaj dhe pjesa tjetër nga Shkupi, Ferizaj dhe Prishtina, andaj fatkeqësisht janë të frekuentuara, mirëpo Ministrisë nuk po i bëhet shumë vonë dhe tempoja e punimeve është jashtëzakonisht e vogël”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci.
Në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës tash e disa ditë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me ankesat për rrugët regjionale në Ferizaj.