5 shtatori është caktuar si datë për përfundimin e afatit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Por, procedura është vështirësuar shkaku i grevës së sektorit publik, pasi që shërbimet në komunë nuk u ofrohen qytetarëve. Si rrjedhojë, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është propozuar që aplikimi të bëhet nëpërmjet postës. Në këtë ministri kanë bërë të ditur se do të ketë zgjatje të afatit për aplikim edhe për tre vjet, përderisa nga komuna kanë deklaruar të mos jenë në dijeni se kur do të procedohet në Kuvend për miratim drafti për plotësim-ndryshimin e ligjit
Dyert në Komunën e Prishtinës tash e dhjetë ditë hapen për punonjës të saj, porse jo edhe për qytetarët që kërkojnë shërbime.
Në mungesë të shërbimeve, si pasojë e grevës në sektorin publik, janë shkaktuar vështirësi edhe në procedurën e aplikimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje, afati përfundimtar për të cilin është caktuar 5 shtatori.
Në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se shkaku i grevës, qytetarët do të duhet që për legalizime, aplikimet t’i adresojnë me anë të postës.
“Ata mund të aplikojnë në postë, domethënë duke iu drejtuar ndonjë prej zyrave postare nëpër komunat e tyre, prej nga ata vijnë dhe t’i dorëzojnë aplikacionet, kuptohet që duhet t’i dorëzojnë në zyra postare në mënyrë që të merret aplikacioni si i vulosur nga zyrtarët e postës dhe të ketë vulën ku aty është e shënuar edhe ora edhe data, d.m.th. brenda tërë ditës së 5 shtatorit deri në orën 23:59 minuta”, ka thënë udhëheqësi i Divizionit të Ndërtimeve, Xhemail Metolli.
Metolli ka theksuar se është rritur numri i kërkesave për legalizime, porse ka shtuar që lidhur me numrin e saktë të aplikimeve të dhënat do të publikohen vetëm pas përfundimit të afatit.
“Zakonisht muajve të fundit gjithherë ka rritje se tentojnë me shfrytëzua rastin edhe me realizu të drejtën për legalizim. Ka pasur rritje të numrit, mirëpo rreth numrit të saktë, siç iu thashë herën e fundit, ne së bashku me USAID-in i kemi ekipet në terren. Do të dalim me një numër të saktë d.m.th. pas datës 5 shtator. Do të jemi të informuar se sa ka qenë ai rezultat, gjatë këtyre katër vjetëve, çka është zbatuar ky ligj, duke e pasur parasysh që gjatë këtyre viteve ka pasur gjithnjë pengesa të paparapara, si p.sh. COVID-19 që gjatë dy vjetëve ka shkaktuar pengesa të mëdha”, ka thënë Metolli
Ai ka theksuar se plotësim-ndryshimi i ligjit aktual është bërë me të vetmin qëllim që të ketë zgjatje të afatit për aplikim, teksa ka shtuar se afati do të zgjatet edhe për tre vjet të tjerë.
Por, në Komunën e Prishtinës kanë bërë të ditur se afati i legalizimit nuk mund të shtyhet me ndonjë akt administrativ, pasi që është kategori ligjore, ndërsa kanë theksuar se nuk kanë informata se kur do të procedohet në Kuvend drafti për plotësim-ndryshimin e ligjit.
“Çështja e afatit të legalizimit është kategori ligjore dhe nuk mund të shtyhet me ndonjë akt administrativ! Të gjithë mund të dorëzojnë aplikim në postë dhe do të llogaritet data e dorëzimit në postë, si datë e aplikimit! Ne kemi informata që Qeveria e ka bërë gati draftin për plotësim-ndryshim të ligjit, ku do të shtyhet afati, mirëpo nuk kemi informata se kur do të procedohet në Kuvend për miratim!”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
Me gjithë paralajmërimin për përfundimin e afatit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, në Komunën e Prishtinës ende nuk kanë një numër të saktë se sa objekte janë të pa legalizuara.