Arbëri

Grenelli: Miliardat e taksapaguesve amerikanë shkuan për OJQ-të që shtyjnë politika radikale

Richard Grenell

Richard Grenell, ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi

Foto: Alban Bujari

Richard Grenell, emisari për misione të posaçme i presidentit amerikan Donald Trump, ka thënë se miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë kanë shkuar për organizata joqeveritare që shtyjnë politika radikale në Ballkanin Perëndimor.

Duke shpërndarë një postim të “Kos_data” në platformën X, e në të cilin Kosova printe në një listë për nga milionat e përfituar prej USAID-it në Ballkanin Perëndimor në periudhën 2020-2024 me 537 milionë dollarë, Grenelli ka thënë se milionat janë ndarë nga politikanët amerikanë në “mënyrë të pamatur”.

“Amerikanët punëtorë paguajnë taksa – politikanët në Washington DC, i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur. Miliarda u jepen OJQ-ve të krahut të majtë për të shtyrë politika radikale në shtete të tjera”, ka shkruar ai.

Postimi i Richard Grenellit në X

Presidenca e re amerikane ka vendosur t’i ndalë ndihmat amerikane për botën. Trump ka vendosur t’i ngrijë të gjitha për 90 ditë, përveç ndihmës urgjente ushqimore dhe ndihmës ushtarake për Izraelin dhe Egjiptin.

E Ballkani ishte një prej zonave më të ndihmuara nga SHBA-ja. Kosova konsiderohet se ka marrë mbi një miliard euro në 20 vjetët e fundit. Fondet nga SHBA-ja në Kosovë kanë ardhur kryesisht nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Ato përfshijnë donacione për të mbështetur sistemin gjyqësor, transparencën dhe llogaridhënien qeveritare, si dhe përmirësimin e tregut të energjisë. Departamenti Amerikan ka arsyetuar vendimin duke thënë se USAID-i është larguar nga mision fillestar për t’i avancuar me përgjegjësi interesat amerikane jashtë vendit.

LEXO EDHE: 

Sipas Institutit GAP, urdhri i presidentit amerikan për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë në Kosovë ka ndikim te rreth 17 projekte aktive të financuara nga USAID-i që japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Vlera e projekteve aktive të USAID-it deri në janar të këtij viti, sipas GAP-it, është mbi 144 milionë euro.

Grenelli, që një ditë më parë mori zyrtarisht postin e ri, në administratën e shkuar të Trumpit ishte emisar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Nën ndërmjetësimin e tij, më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka emëruar disa personalitete në pozita të ndryshme, por jo edhe një emisar të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Grenell është emëruar emisari për Misione të Posaçme i SHBA-së, që mund të përfshijë edhe Kosovën.

E pak ditë më parë, Grenelli i quajti mashtrim deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se krahasuar me qeveritë paraprake, kjo aktualja e drejtuar prej tij, ka pasur marrëdhëniet më të mira me Washingtonin. Madje ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.