E gjithë bota tashmë e dinte se presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të ishte një president i zakonshëm.
Jo vetëm që nuk ishte një politikan karriere, që në një pikë të caktuar synon majën, por edhe për shumë rrethana të tjera.
Donald Trumpi kishte qenë kontradiktor në shumicën e viteve që ishte pjesë e jetës publike në SHBA, por në pozitën e njeriut më të fuqishëm në botë, vëmendja do të ishte e pashmangshme në çdo lëvizje të tij.
Por këtu kishte një avantazh, sepse vëmendjen e kishte kërkuar gjithmonë dhe kishte arritur ta ketë, duke qenë gjithmonë përkrah personaliteteve të fuqishme, përfshirë ata të politikës.
Megjithëse imazhi i tij ishte i ndarë përgjysmë ndërmjet një biznesmeni të dështuar që e vetmja gjë me vlerë i kishte mbetur mbiemri dhe një politikani në tentativë e të pazakontë që nuk zgjedh mënyrat për të arritur qëllimin, ishte bindës që në fund t’i bindë mjaftueshëm amerikanët që ta votojnë për t’i udhëhequr në 4 vjetët e ardhshëm.
Thuajse dy vjetët e parë të administratës së tij, të cilat u përshkuan nga paqëndrueshmëria e kaosi organizativ, nuk i kishin lënë hapësirë që të vijnë në agjendë lëvizje konkrete në politikën e jashtme.
Përveç nëse bëhej fjalë për tema kontradiktore me Rusinë, Kinën ose edhe Korenë Veriore.
Megjithatë gjërat po ndryshonin me t’u ofruar koha e fushatës zgjedhore, dhe i duheshin trofe për t’i paraqitur para amerikanëve.
U zgjua interesi për tema dhe angazhime serioze në konflikte të ngrira, zgjidhjet për të cilat nuk ishin arritur me dekada.
Raportet Kosovë-Serbi dhe shtytja drejt një zgjidhjeje përfundimtare ishte një prej tyre.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte takuar presidentin Trump në muajin shtator të vitit 2017, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Një takim tjetër, thuajse një vit më vonë, ishte ai në Paris, gjatë shënimit të 100- vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Pas takimit të 11 nëntorit, pasoi një letër që mban datën 14 dhjetor të po atij viti, ku Trumpi shprehte gatishmërinë për të ndihmuar drejt marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë t’ju mirëpres Ju dhe Presidentin Aleksandar Vuçiq, për të festuar atë që do të jetë një marrëveshje historike,” thuhej në letër.
Me marrëveshje i referohej një marrëveshjeje paqeje, e cila, në pikëpamjen e Trumpit, ishte e arritshme me rrethanat e krijuara.
Në mesin e shkurtit të vitit të ardhshëm, derisa liderët e dy shteteve, Thaçi e Vuçiqi ende vazhdonin spektaklet meadiatike me akuza e kundërakuza, atyre u kishte shkuar nga një tjetër letër nga Trumpi.
Derisa e uronte Serbinë për Ditën e Shtetësisë, 15 shkurtin, në mes tjerash, presidentit serb Vuçiq në letër i shkroi se “Ne besojmë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë elementi qendror i normalizimit.”
Por brenda në Kosovë, përderisa presidenti Thaçi merrte kreditë si një burrështetas që pas përfundimit të luftës synonte pajtimin, qeveria e Ramush Haradinajt po përballej me presionin amerikan e madje edhe me kërcënime për sanksione, nëse nuk hiqej taksa ndaj mallrave serbe.
Taksën Haradinaj nuk e hoqi dhe dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit në korrikun e vitit 2019, pasi ishte ftuar për intervistim nga Prokuroria e Specializuar.
Derisa Kosova po bëhej gati për zgjedhje të reja, edhe plani amerikan për një marrëveshje Kosovë-Serbi dukej se po merrte formë.
Me gjithë dilemat që dolën së fundmi nëse vërtet e di se ku ndodhet Kosova, realisht pakkush e kishte pritur një vëmendje të tillë nga administrata Trump për çështjen e Kosovës dhe raportet me Serbinë.
Ishte koha që të tentojë edhe një herë tjetër të tregojë se i kishte aftësitë e një biznesmeni që negocion e gjithnjë del me sukses nga to, pavarësisht nëse bëhej fjalë për konflikte të cilat nuk ishin zgjidhur me shekuj e të cilave nuk ua dinte as emrin e pozitën gjeografike.
E rëndësishme të përsëritej para masës që një zgjidhje ishte bërë, dhe madje brenda minutash.
Ishin disa lëvizje që krijuan përshtypjen e një vëmendjeje të veçantë për Ballkanin dhe dy shtetet e mbetura në hasmëri, lëvizje që në veçanti u lidhën me një emër.
Në fundin e gushtit të vitit 2019, Administrata Amerikane kishte emëruar diplomatin Mathew Palmer si të dërguar të posaçëm për Ballkanin.
Pritjet ishin që Palmer të merrej me dialogun Kosovë – Serbi, që në duar të Brukselit kishte ngecur.
Megjithatë, emri tjetër që e pasoi Palmerin e nuk vonoi shumë, e zuri në befasi shumëkënd.
Më 3 tetor Shtëpia e Bardhë njoftoi për emërimin e Richard Grenellit si të dërguarin e saj për dialogun Kosovë-Serbi.
Grenell në atë kohë ishte ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe që më vonë do të konsiderohej si një prej faktorëve kyç në ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Nuk vonoi shumë edhe vizita e tyre e parë në Kosovë e Serbi.
Grenelli nuk kishte folur publikisht për takimet, por presidenti Thaçi kishte mirëpritur vëmendjen e SHBA-së, duke theksuar se ky hap rrit besimin për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.
Megjithatë, pritjet nga dy shtetet që do të kishin punë me Grenellin ishin të ndryshme.
Liderët politikë në Kosovë mirëpritën pa hezitim emërimin e tij, duke vënë theksin në pritje që nuk ishin përmbushur nga dialogu i iniciuar nga Brukseli, e që dukej se e kishte të vështirë të kthehej në rrugën e duhur.
Edhe vetë Bashkimi Evropian po përjetonte ndryshime, dhe Joseph Borell u bë njeriu kryesor i diplomacisë, duke pasuar Federica Mogherinin.
Pavarësisht deklarimeve se mirëpresin angazhimin e shtuar amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, nga qëndrimet e tij u vu re se ka një garë të brendshme për të mbajtur dialogun në Bruksel.
Pa zgjedhur mënyra.
“Duket se amerikanët kanë shumë plane. Kanë një plan për gjithçka. Kanë një plan për Lindjen e Mesme, kanë një plan për Kosovën. E rëndësishme nuk është të kesh një plan, e rëndësishme është të angazhohesh sinqerisht dhe me resurse. Sepse, me sa di unë, amerikanët nuk kanë shpenzuar asnjë euro të vetme në Kosovë dhe ne kemi shpenzuar mbi 1 miliard euro në vitet e fundit”, ka thënë Josep Borrell, Përfaqësues i lartë i BE-së.
Borell në fund të janarit gjatë qëndrimit në Kosovë zyrtarizoi idenë që përflitej se do të kishte një të ngarkuar që do të merrej ekskluzivisht me dialogun Kosovë-Serbi.
Dhe Mirloslav Lajçak, diplomat sllovak, u përzgjodh në detyrën e tij si përfaqësues i Posaçëm i BE-së, për dialogun ndërmjet dy shteteve.
Por derisa Borelli qëndronte në Kosovë, në vizitën e tij të parë zyrtare nga marrja e pozitës, dhe i duhej të ballafaqohej me kritika sidomos për mosliberalizimin e vizave, SHBA-ja, përkatësisht Richard Grenell, kishte bërë lëvizje konkrete.
Më 20 janar të këtij viti në Ambasadën e SHBA-së në Berlin u nënshkrua marrëveshja për rikthimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Pak ditë më vonë Grenelli erdhi sërish në Prishtinë, derisa dy partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, ende ishin në diskutime për formimin e qeverisë.
Heqja e taksës për produktet serbe, e vendosur nga Qeveria Haradinaj, ishte një prej kërkesave të tij eksplicite për Kosovën, e ndërprerja e fushatës së çnjohjeve për Serbinë.
Derisa në fillim të shkurtit LDK-ja e Vetëvendosje vetëm se kishin arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje, u zunë në befasi nga zhvillimet që pasuan në kryeqytetin e Gjermanisë.
Pak para nisjes së Konferencës së Sigurisë në Munih, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun, Richard Grenell, bëri bashkë zyrtarë nga dy shtetet,
për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të tjera fillestare, atë për hekurudhat dhe atë për autostradat.
Marrëveshjet u nënshkruan në prani të dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, e nga afër, teksa u vunë nënshkrimet vëzhgonte Grenelli.
Derisa Kurti e Vjosa Osmani shprehën publikisht rezervat për formën se si ishin arritur marrëveshjet, zhvillime të tjera, që lidheshin me synimin e tij që ta realizojë planin për heqjen graduale të taksës, quan në një kërcënim më të rëndë.
David Perdue, senatori republikan, ishte i pari që shkroi se SHBA-ja duhet të rikonsiderojë prezencën e saj në Kosovë.
“Me mundësitë për arritje historike përpara, Kosova duhet të bëjë pjesën e saj, të heqë të gjitha kushtëzimet ndaj Serbisë,” shkroi mes tjerash Perdue në Twitter, më 10 mars.
Qëndrimi i tij u përkrah menjëherë edhe nga Grenelli.
“Pajtohem. Janë 650 ushtarë në Kosovë. Koha për t’i kthyer në shtëpi,” shkroi
Donald Trump i Riu, djali i presidentit amerikan.
Fjali të tilla nuk kishin thënë vendimmarrës në Amerikë ndonjëherë, dhe në Kosovë u rrit presioni ndaj Kurtit dhe qeverisë së tij, që u etiketuan si antiamerikanë.
Një tjetër goditje përveç presionit nga opozita dhe presidentit në vend, për qeverinë Kurti erdhi nga ngrirja e fondeve të Fondacionit të Mijëvjeçarit, vendim që u publikua më datën 13 mars.
“MCC shpreson se Qeveria e Kosovës vendos të zgjidhë shpejt çështjen e taksës, për të vazhduar me programet e MCC-së,” shkruhej mes tjerash në komunikatën e publikuar nga ky fond i Qeverisë amerikane.
Do të duheshin të kalonin tre muaj dhe të hiqej qeveria Kurti nga pushteti, për t’i hapur rrugë rikthimit të fondeve, pasi që taksa u hoq nga qeveria Hoti me të marrë pushtetin.
Megjithatë Kurti, tani vetëm kryeministër në detyrë, sulmoi ashpër emisarin amerikan Grenell, duke e akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme.
“Qeveria ime nuk u përmbys për asgjë tjetër, por thjesht sepse ambasadori Grenell ishte në ngutje për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë”, ishte deklarata e tij në muajin prill.
Dhe marrëveshja ndodhi, por larg asaj që përmendej, si një marrëveshje paqeje ku madje do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë.
Derisa presidenti Thaçi ishte rrugës për në Washington, rruga iu pre nga një lajm aspak i lehtë.
Ndaj tij dhe ish-kryetarit të Kuvendit, pasuesit të tij në krye të PDK-së, Kadri Veseli, Prokuroria e Specializuar në Hagë ngriti aktakuza për krime lufte.
Vendimi i tij ishte që të mos shkonte në Washington, ku e priste një takim me homologun i tij Vuçiq, në atë që pritej të jetë nënshkrimi i marrëveshjes historike, me ndërmjetësimin amerikan.
Pavarësisht anulimit të Thaçit, Grenelli insistonte se takimi do të mbahej, por tani me pjesëmarrjen e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, edhe Hoti, në rrethanat e krijuara, anuloi pjesëmarrjen.
Ideja e shkëmbimit të territoreve si një çelës për arritjen e marrëveshjes ishte droja e Vetëvendosjes tanimë në opozitë.
Kjo parti vazhdimisht insistonte se edhe Thaçi, por edhe tani qeveria Hoti pas mungesës së tij në tryezën e bisedimeve, në tentimin e dytë për në Washington, do ta fusnin shkëmbimin e territoreve në pakon e marrëveshjes.
U desh të pritej 4 shtatori, që më në fund të mbërrinin në Shtëpinë e Bardhë, Hoti në një anë, dhe Vuçiqi në anën tjetër, e ndërmjet tyre ta kenë presidentin amerikan Donald Trump.
Me përjashtim të njohjes nga Izraeli, një procesi që doli se vetëm u iniciua në Washington, marrëveshja dhe pikat e saj ishin kryesisht ekonomike, kopje e planeve të BE-së dhe përfundimisht të kontestuara si pika për moratoriumin e angazhimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e në pika si ajo për Ujmanin.
Marrëveshjet dy shtetet i nënshkruan me presidentin Trump e jo ndërmjet vete, duke nënkuptuar se zotimet i ishin dhënë atij.
Por ishte e mjaftueshme që në Shtëpinë e Bardhë kishin mbërritur dy liderë të dy shteteve që nuk kishin raporte të ndërsjella dhe kishin nënshkruar diçka që mund të konsiderohej si marrëveshje, pavarësisht se nuk ishte ndërmjet tyre.
Në fushatë fundja nuk është nevoja të jepen të gjitha detajet.