Arbëri

Gratë sfidojnë kuotën

Gati dy të tretat e deputetëve në legjislaturën e re, do të jenë gra që kanë siguruar mandatin duke siguruar mjaftueshëm vota e pa ndihmën që ofron kuota ligjore. Diskriminimi dhe mungesa në vendimmarrje, përbëjnë dy prej katër shqetësimeve kryesore që janë shprehur nga vajzat dhe gratë, në hapësirën ECR të publikuar nga KOHA. Si problem më të madh kanë listuar dhunën në familje, e pas tij papunësinë. Aktivistet bënë thirrje për më shumë punë, për t’i adresuar problemet me bazë gjinore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është gruaja më e votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke siguruar më shumë se 100 mijë vota, tregojnë rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Asnjë nga gratë e listës së subjektit politik që ajo i takon, nuk do të bëhen deputete duke u mbështetur në kuotë, por nga numri i votave që kanë siguruar.

Haxhiu e ka cilësuar këtë si lajm të mirë.

“Kemi arritur që të dëshmojmë që edhe gratë mund të jenë punëtore të denja, që e kryejnë detyrën me përgjegjësi të lartë, prandaj si rrethanë vlerësoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme kjo”, ka thënë ajo.

Nga partitë më të mëdha, 33 gra kandidate për deputete me përkatësi shqiptare kanë arritur të sigurojnë ulëset në Kuvend përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve, e vetëm 5 duke u mbështetur në kuotë.

Nga ato serbe, tri kanë arritur të marrin mjaftueshëm vota për t’u bërë ligjvënëse, kurse rezultati për gratë e komuniteteve të tjera nuk jep pasqyrë të qartë.

Drejtoresha e organizatës “Demokracia për Zhvillim”, Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, ka thënë se rezultati tregon për rritje vetëdijesimi të qytetarëve, por merita u lë edhe performancës së deputeteve në mandatin që përfundoi.

“Temat që trajtohen nga gratë brenda Kuvendit të Kosovës lidhen më shumë me ato tema shëndetësore, të arsimit dhe që qytetarët i shohin me interes të veçantë, andaj kjo mund të jetë njëra ndër arsyet”, ka deklaruar ajo.

Diskriminimi dhe mungesa në vendimmarrje, përbëjnë dy prej katër shqetësimeve kryesore që janë shprehur nga vajzat dhe gratë, në hapësirën ECR që KOHA ua ka ofruar për të treguar se çfarë duhet të bëjë qeveria e re për to. Si problem më të madh kanë listuar dhunën në familje, e pas tij papunësinë.

Aktivistja Rrezarta Delibashzade-Krasniqi ka thënë se gjatë fushatës zgjedhore problemet gjinore u adresuan minimalisht nga subjektet politike.

“Edhe pse temat që kanë pasur me më interes për çështjen e grave siç është mosaktiviteti i grave në tregun e punës apo tema të tjera me rëndësi të lartë edhe nga aspekti shëndetësor nuk janë trajtuar”, ka thënë Delibashzade Krasniqi.

Në pyetësorin e KOHËS, 36.6 e atyre që u përgjigjën shprehën pritjen që qeveria e re të aplikojë politika që nxisin punësimin e vajzave dhe grave, kurse 33.8 për qind që të ndërmerren masa të cilat adresojnë dhunën në familje.

Por, sociologia Flakë Ymeri ka thënë se nuk duhet pritur shumë nga Qeveria.

“Problematikat me të cilat gratë përballen në shoqërinë tonë apo politikat të cilat zhvillohen në mbrojtjen e grave janë të mangëta, duke u vlerësuar nga qeveritë paraprake, apo qeveritë në ardhje si dytësore apo sekondare, duke mos i dhënë rëndësi nga ajo që ceket në fushata apo në programet të cilat ato i parashohin në mbështetje të grave, siç mbetet dhuna në familje apo gratë të cilat kanë përjetuar dhunë apo problematika të tjera që mbeten shumë çështje të pazgjidhura”, është shprehur Ymeri.

Ministrja Haxhiu ka pranuar se duhet më shumë punë, për t’i adresuar problemet me bazë gjinore.

“Nuk duhet që të kënaqemi me rrethanat aktuale, por gjithmonë duhet të vazhdojmë me përpjekjet që të kemi, sa më shumë barazi në vendin tonë në mënyrë që gratë të shihen si qenie njerëzore që mund të japin kontributin gjithandej dhe kudo”, ka thënë Haxhiu.

Një ditë më parë, Qeveria miratoi rregulloren për mekanizmin koordinues lokal për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave e dhuna në bazë gjinore, si dhe udhëzimin administrativ për linjë telefonike emergjente për viktimat e dhunës.