Dëshmitë e personazheve të librit “Mirupafshim në Kosovë” të Ana Exposito Valles (IV)
Ndryshe nga vizitat e 13 dhjetorit, dy familjeve në Gadime të Ulët e Magure, të përshkuara me rrëfime shprese e jete, gazetarja Ana Exposito Valle në mëngjesin e 14 dhjetorit në Prishtinë, tha se është munduar të përgatitet emocionalisht për t’i dëgjuar dëshmitë e anëtarëve të farefisit Lipaj nga Studenica e Istogut, të cilëve iu vranë katër gra e katër vajza të mitura në mesprillin e vitit 1999.
“Më e rëndësishme është gjendja e pastajme.... si puna e ushtarit, sepse ajo që përjeton dhe sheh janë aq të tmerrshme, saqë mund t’i shprehësh vetëm nëpërmjet traumës”, thekson Valle, gazetarja e disa luftërave, përfshirë edhe të Kosovës, derisa vazhdon rrugën drejt fshatit të Lipajve. Dy herë ka përjetuar stres post-traumatik, por gjithnjë dëshiron të mësojë më shumë për fatin e më të dashurve të viktimave dhe të atyre që i kishte intervistuar gjatë e pas luftës në Kosovë. Janë dëshmi të përfshira në librin “Mirupafshim në Kosovë”, përkthyer e botuar nga Botimet KOHA, e që janë ekranizuar në dokumentarin me të njëjtin emër me gërshetim pamjesh arkivore të Television de Galicia dhe xhirimeve të reja që i ka bërë në dhjetor me ekipin e KTV-së.
“Dua të dëgjoj se çfarë ndodhi me familjarët e viktimave të Lipajve”, thekson Valle, e cila përgjatë rrugëve spikat zhvillimin e Kosovës.
Kthimi i kobshëm
“Jemi zhvilluar privatisht, pa ndihmën e shtetit”, i thotë para lapidarit të viktimave veterani i luftës, Ylber Lipa, të cilit i ishte vrarë nënë Hajrija. “Problemi është se shteti nuk ka bërë asgjë për 20 vjet, asnjë padi, shteti ynë nuk ka bërë faktikisht asgjë. Bashkësia ndërkombëtare po anon fatkeqësisht kah Serbia”, shton Ylberi para lapidarit në formë kulle me gurë e hartës së mermertë të Shqipërisë në vendin ku lidhen tri rrugë. “Ne po na nxjerrë si agresorë, ata si, si... është shumë e padrejtë”.
Sipër kokave të Lipajve e Valles, së cilës i përkthen Nexhad Bexheti, që e kishte shoqëruar edhe në ditët e para të lirisë, janë emrat e viktimave. Qëndresa ishte 15 vjeçe, Njomza, 14, Lindihana 14 dhe Mirdona 13.
Saliu plak, gratë dhe vajzat, bashkë me disa djem të farefisit, ishin kthyer në shtëpinë e gjyshit të Qëndresës dhe Mirdonës për të marrë ushqime e gatuar bukë. Në bodrumin e shtëpisë kishin qëndruar para se të zhvendoseshin nja katër kilometra në bjeshkët sipër shtëpive në drejtim të kufirit me Malin e Zi. Burrat ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Derisa piqej buka, vajzat dolën jashtë ku po i prisnin Blerimi dhe Liridoni për t’u nisur. Matanë shiheshin shtëpitë e Vrellës dhe pyeteshin se si iu shkonin punët djemve në front”, shkruan Ana në “Mirupafshim në Kosovë!” pas intervistave që do të zhvillonte me të mbijetuarit e farefisit Lipa. Blerimi e Liridoni do të niseshin pasi gjysh Saliu u kishte thënë: “Mos kini dert” se “s’na bajnë gja. Nëse vijnë serbët, ikim përmas, afër pronit”.
Buka e djegur
Por tetë gratë e vajzat dhe gjysh Saliun, më askush nuk i pa të gjallë pas 13 prillit të vitit 1999 kur forcat serbe do t’i zinin në shtëpi dhe do t’i ekzekutonin para se trupat t’ua hidhnin në bunar.
“Këtu ka qenë shporeti”, tregon Enver Lipaj në kuzhinën e shtëpisë e djegur të miqve ku iu vranë të bijat Qëndresa dhe Mirdona. “Edhe një bukë e djegur është gjetë në tepsi”, shton Rahimja, bashkëshortja e Enverit. “Nuk kanë mujtë as me ikë, as nuk iu ka dhanë mundësia as bukën me nxjerrë prej shporetit. Domethënë është mbetur buka e djegur prej shporetit”, i tregon Enver Lipa Valles, e cila kishte shkruar gjerësisht në mediat ndërkombëtare për vrasjen e civilëve në Studenicë. “Bukën e dytë, sepse ato po i piqnin dy bukë”, thotë Valle.
“Këtu kanë nejtë derisa nuk kanë qenë të rrezikuar. Kur janë ba granatimet, atëherë kanë nejtë në bodrum, edhe plaku, haxhia t’u llogarit se në gra edhe fëmijë, edhe në pleq, nuk prekin”, shton ai. “Ky është krim, kjo është masakër, ky është gjenocid”.
“Po”, ia kthen Valle.
Shtëpi muze
Lipajt thonë se miqtë e familjes, të cilët pas luftës nuk u kthyen asnjëherë për të jetuar në shtëpinë e krimit të forcave serbe, kanë ndarë mendjen që shtëpinë ta shndërrojnë në muze. Shpreh keqardhje pse u mbyll bunari midis oborri, ku ishin hedhur viktimat pas ekzekutimit. Ish-ushtari i UÇK-së, Enver Lipaj, me duart e veta kishte nxjerrë të bijat e viktimat e tjera. Me të ishte edhe Ylberi në qershorin e vitit 1999. Një guri i hirtë në tokën e përbaltur është shenja e vetme e bunarit të mbyllur.
“I kanë nxjerrë prej atje, i kanë vra, edhe i kanë gjujtë në bunar”, thotë Enver Lipaj. “Bunari ka qenë rreth 20 metra thellësi, dhe mandej e kanë hedhë në erë me eksploziv për me i hup edhe gjurmët e krimit që i kanë ba”. Trupat e pajetë ishin vendosur në oborr pasi do t’u bëhej edhe ekspertiza e mjekësisë ligjore të ekipeve ndërkombëtare. “Edhe kur i ka pa KFOR-i italian, se në regjionin tonë ka qenë KFOR-i italian, kur i kanë pa, janë çmend. Gra, fëmijë dhe pleq. Absolutisht nuk kanë pasë asnjë rrezik prej tyre”, kujton ai.
Askush nuk është nxjerrë para drejtësisë për masakrën e Studenicës, megjithëse Ylber Lipa thotë se është dokumentuar nga Fondi për të Drejtat Humanitare i Natasha Kandiqit se pos forcave të rregullta, në krim ishin përfshirë edhe serbët lokalë të fshatrave të Istogut.
“... dhe në ndërhyrje të tyre ka pasur edhe militarë lokalë, që na i dimë afërsisht edhe me emra”, thekson ai.
Valle e pyet Ylberin se a mund të jetë kryer masakra në shenjë hakmarrjeje që shumica e burrave të Lipajve ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Realisht ne e kemi bazën në shtëpi të Enverit dhe edhe pa shpërthyer lufta frontale, ne kemi qenë të mobilizuar edhe shtatë-tetë muaj përpara”, thotë Ylber Lipa. “Dhe kjo qëndron. Mund të kenë pasur informata dhe mund të jetë edhe tip hakmarrjeje, sepse kështu kanë vepruar ata. Aty ku ka pasur ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata janë hakmarrë në civilë”.
“Nuk â ngushëllim nëse i zâjnë, nëse i gjykojnë e i dënojnë fajtorët. Jeta për mu ka me qenë njësoj, nuk ka me m’bâ me u ndi ma mirë”, do t’i thoshte Valles ish-ushtari tjetër i UÇK-së, Fadil Lipaj pas luftës. Atij ia vranë bashkëshorte Sabrijen dhe të bijën, Lindihana
“Është më i brishti prej të gjithë familjes Lipaj, të cilin vdekja e preku për së afërmi. Thuajse një vit më vonë, vazhdon të jetë i humbur dhe sytë i duken të paaftë për ta pasur një shikim tjetër pos të një pikëllimi të pafund”, do të shkruante Valle në “Mirupafshim në Kosovë!”
Prej tre fëmijëve të Fadilit, Lindihana ishte më e madhja, bionde, e thatë dhe e ndrojtur, si babai. “I premtun motrës se kanë me u kthy shpejt. Sot e di që s’kanë mujt me e mbajtë fjalën”, do të thoshte ai.
Njëzetë vjet më vonë, Fadil Lipaj i thotë Anës në korridorin e shkollës, ku punojnë disa prej anëtarëve të farefisit Lipaj, se fëmijët, gratë dhe pleqtë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.
Kjo është shtëpia e miqve të Enver Lipajt, ku u vranë katër vajzat e mitura dhe katër gratë Lipaj dhe një plak pasi ishin kthyer nga mali që të gatuanin e piqnin bukë. Shtëpia do të kthehet në muze lufte
“Na dojshim me pasë lirinë, ata dojshin me na zhdukë”
“Na dojshim me pasë lirinë, ata dojshin me na zhdukë. Për këtë arsye i kanë vra gratë, fëmijët e pleqtë, sepse ata kanë qenë të pambrojtur, të paarmatosur, kanë qenë në shtëpinë e vet, në tokën e vet”, thekson Fadil Lipaj. “Serbët e kanë pasur synim me zhdukë popullin shqiptar nga Kosova për me ba territor të vetin”.
Rahime Lipaj, e cila vazhdon të punojë në shkollën ku i shkolloi edhe dy bijat e saj, i kishte thënë para njëzet vjetësh Valles se kur i shihte shoqet e Qëndresës dhe Mirdonës, në njërën anë mërzitej, por njëherësh kënaqej derisa po i shihte duke u rritur në liri.
“Unë në klasë kur kam hy, e kam lanë atë gjë. Pse, sepse para fëmijëve, arsimtari është gjithçka. Kanë shkru djemtë e çikat poezi, shumë kanë shkru për shoqe e çika, por ne jemi përmbajtur se detyra detyrë”, thotë mes lotësh Rahime Lipaj.
“Te ne ka një shprehje popullore te ne shqiptarët, thuhet se njeriu është më i fortë se guri”, thotë Ylber Lipa, duke thyer heshtjen pas fjalëve të Rahimes. “Jo në atë kuptimin e shtypjes...”, shton Ylber Lipa, duke rrahur me dorën e djathtë grusht shuplakën e dorës së majtë. “.... por që bart gjithë këtu”, shton ai, duke rrahur me dorën e djathtë gjoksin mu sipër zemrës.
Enveri, i cili kësaj here mbahet goxha teksa flet për vrasjen e të bijave të mitura, i ishte lidhur nyja në fyt sa herë kalonte para kornizës me fotografitë e nxënëseve të vrara në hyrje të shkollës.
“Vranë gjithçka që merrte frymë shqip. Është zor me besu se një ushtri profesionale jau bân këtë civilëve. Nuk i respektun as fëmijtë në barqet e nânave”, do t’i thoshte atëherë Valles. ”Ditën kur u rihap shkolla, shokët dhe shoqet e klasës të vajzave u bënë homazhe. Sot, poezitë e shkurtra të shkruara nga shokët e shoqet i përcjellin fotografitë e viktimave”, do të shkruante Valle.
“Ka ndodhur edhe vrasja i nxënëseve tona dhe e disa anëtarëve të familjes, dhe ne kemi shprehur. Kemi shprehur dhembjen, kemi shprehur pikëllimin tonë”, thekson Sadik Bicaj, drejtor i shkollës së Vrellës, “Hysni Zajmi”. “Por njëherësh kemi shprehur krenarinë tonë, për arsye se kemi dhe jemi gjithmonë të vetëdijshëm se pa dhënë gjak nuk ka liri”.
Dhe takimi i Valles me Lipajt mbyllet me dhurimin e ekzemplarëve të “Mirupafshim në Kosovë!”, që nxënësit e lirisë, kur të rriten të lexojnë historinë e nxënëseve të vrara që në kohë pushtimi, në të njëjtën shkollë do të mësonin shkronjat e para të shqipes.
Bunari, ku trupat e pajetë të katër vajzave të mitura, katër grave dhe një plaku ishin hedhur pasi ishin ekzekutuar para shtëpisë. Bunari do të rihapet përsëri