Arbëri

Gradimet “klandestine” në Ministrinë e Jashtme

MPJD

Shkeljet e vazhdueshme në emërimin e ambasadorëve, në dhënien e gradave e parregullsitë me procesin e rotacionit- janë konstatuar edhe në një raport të Shoqatës Sindikale brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Teksa i kanë dhënë mbështetje vendimit të ushtrueses së detyrës së presidentes për shkarkimin e konsujve, Shoqata ka kërkuar nga Ministria, Presidenca dhe nga kryeministri anulimin e të gjitha gradave dhe kthimin e ligjshmërisë në MPJD

Klandestine dhe jotransparente i ka quajtur Shoqata Sindikale gradimet e fundit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Të tilla janë kualifikuar edhe emërimet e ambasadorëve për të cilët ka raportuar “Koha” e që kanë lidhje familjare me partitë në pushtet. Ato janë përmbledhur në një raport prej 13 faqesh, me të cilin janë njoftuar ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kryeministri Hoti, Komisioni për Punë të Jashtme, si dhe Auditori i Përgjithshëm. Aty është kërkuar anulimi i gradave dhe kthimi i ligjshmërisë në Ministrinë e Jashtme.

“Jemi në dijeni se disa zyrtarë, bartës të gradës diplomatike ministër-këshilltar, fillimisht janë graduar në gradën diplomatike ministër fuqiplotë, pa u vlerësuar/kaluar grada dhe miratuar propozimi në Komisionin për Grada dhe Disiplinë, dhe dy javë më pas janë propozuar te ish-presidenti i Republikës për gradën diplomatike ambasador, i cili i ka miratuar të njëjtat”, shkruan në raport.

“Në të gjitha rastet, edhe sikur të ishte miratuar grada ministër fuqiplotë në Komisionin për Grada dhe Disiplinë, nuk është respektuar periudha e kalimit nga një gradë në tjetrën, minimalisht një vit, në këtë rast nga ministër fuqiplotë në ambasador”.

I tillë është konsideruar edhe gradimi i Astrit Zemajt, që është vëllai i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj. Për të ishte shpikur edhe një pozitë që nuk ekziston në ligj, duke e emëruar ambasador për vendet e Bashkimit Evropian, me seli në Bruksel. Duke shkelur ligjin, gradat i janë dhënë edhe Frymëzim Isufajt, Jetish Jasharit dhe Delfin Pllanës.

Shoqata ka konstatuar se lista mund të jetë edhe më e gjatë, për shkak të jotransparencës që e ka shoqëruar procesin.

“Shoqata konstaton se lista mund të jetë edhe më e gjerë, për shkak të faktit që ky proces është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë jotransparente, madje klandestine, dhe është shoqëruar me mungesë të informacionit nga ana e MPJD-së dhe Presidencës së Republikës, në ndërkohë që dhënia e gradës diplomatike ambasador do të duhej të ishte një ngjarje e rëndësishme për shërbimin e jashtëm”, thuhet në dokument.

Shkeljet e u.d. të drejtorit të përgjithshëm

Përveç gradimit jashtë Komisionit, gradimet janë vlerësuar të paligjshme edhe për faktin se ato janë dhënë nga ushtruesi i drejtorit të përgjithshëm, Delfin Pllana, “i cili sipas ligjit nuk ka tagër që të vlerësojë dikë për avancim, në kohën kur si mbikëqyrës i drejtpërdrejtë duhet të qëndrojë në pozitë të u.d. jo më shumë se tre muaj, dhe si rrjedhojë nuk ka të drejtë të bëjë vlerësimin e vartësit nëse është më pak se 6 muaj në pozitën e mbikëqyrësit”. Pllana fillimisht është ngritur në gradën ministër, dhe pas dy javësh ia ka akorduar vetes gradën diplomatike- ambasador, gjë që përbën konflikt interesi.

Shoqata Sindikale ka shprehur shqetësimin se i gjithë ky proces është zhvilluar pas pezullimit të drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj, për të cilin ka thënë se janë tejzgjatur procedurat për vendosjen e rastit.

“Në rastet konkrete dhe të mëhershme, propozimi nuk ka kaluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës para se të dërgohet për miratim tek presidenti i Republikës. Shoqata Sindikale konstaton se emërimet dhe gradimet e tilla në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, jo vetëm që e degradojnë në skajshmëri shërbimin e jashtëm, tashmë të politizuar me emërime jashtë karrierës diplomatike, por edhe ngrenë dyshime për përgjegjësi politike, profesionale, financiare dhe penale, sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës (cenimi i statusit të barabartë të shtetasve të Republikës, duke favorizuar persona të caktuar në punësim të paligjshëm/gradim/avancim, dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan në raport.

“Duhet shtuar se grada diplomatike personale ambasador duhet të jepet pas një procesi të gjatë të vlerësimit, bazuar në vitet e kaluara në pozita të larta drejtuese në shërbimin e jashtëm, si shef/shefe i misioneve diplomatike dhe bartës/e i pozitave të larta në shërbimin e jashtëm, në bazë të performancës, në një konkurrencë të hapur, e jo në mënyrë jotransparente”, thuhet në dokument.

Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, grada diplomatike ambasador jepet me propozim të Qeverisë dhe miratohet nga presidenti.

Konsujt e shkarkuar

Shoqata i ka përmendur edhe emërimet e konsujve të përgjithshëm, për të cilat pati raportuar “Koha”, se janë bërë jashtëligjshëm, përfshirë djalin e deputetit të AAK-s, Haxhi Shala. Teksa është mbështetur vendimi i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e katër konsujve, asaj i është kërkuar që t’i anulojë edhe dekretet e tjera. Në mesin e tyre është Gazmend Krasniqi, i cili ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Frankfurt, pa iu nënshtruar asnjë konkursi. Krasniqi ka qenë shef i protokollit në kabinetin e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Shoqata ka mësuar se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, listës së emërimeve i janë shtuar edhe disa emra të tjerë në pozitën e konsujve të përgjithshëm sipas çelësit politik.

“Konstatojmë me keqardhje se është vazhduar me mosrespektimin e ligjit sa i përket emërimit të konsujve të përgjithshëm, me propozimin tuaj si Ministre e Punëve të Jashtme dhe me dekretimet nga ish- Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi”. Shoqata rithekson po ashtu se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi vazhdojnë të ushtrojnë detyrën sipas çelësit politik të emëruar konsuj të përgjithshëm më herët, të cilën gjë Shoqata Sindikale ka ngritur si shqetësim emërimet e tilla politike në vazhdimësi”, shkruan në raport.

Në listën e emërimeve të paligjshme të cilat datojnë nga koha e ish-ministri Pacolli janë: edhe Agim Krasniqi, Ramadan Avdiu, Donat Syla, Naser Miftari, Adrian Andreja, Mimoza Ahmetaj, Gramos Begolli e Suzan Novobërdalija”.

Paligjshmëritë në rastin e emërimeve dhe gradimeve janë konstatuar vazhdimisht edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

“Duhet konstatuar me keqardhje se mosrespektimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm dëshmon se nuk është duke u zbatuar legjislacioni në fuqi në këtë fushë, gjë që është një lajm ogurzi për shtetin e së drejtës në Republikën e Kosovës. Për më tepër, në lidhje me gradimet e fundit të kundërligjshme të zyrtarëve në fjalë nga grada ministër-këshilltar, në ministër fuqiplotë, duhet t’ju sjellim në vëmendjen tuaj se në raportet e Auditorit të Përgjithshëm shprehimisht rekomandohet që me rastin e gradimit të nëpunësve të stafit diplomatik, propozimi të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm, dhe që të bëhet vlerësimi i performancës nga ana e Komisionit për Grada dhe Disiplinë, para se të miratohet grada nga ministri”, thotë raporti.

“Koha” ka pyetur të mërkurën në MPJ, në Presidencë dhe në Zyrën e kryeministrit për veprimet që do t’i ndërmarrin në funksion të kthimit të ligjshmërisë, por ka munguar përgjigjja.